Letër e Hapur në Përvjetori i 101 të Ditës Ndërkombëtare të Gruas

Sot është Përvjetori i 101, i Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Rreth njëqind vite më parë gratë lanë punët e tyre në fabrika dhe dolën nëpër rrugë të protestonin mbi pagat e ulta, pasigurinë në punë, kushtet jonjerëzore të punës dhe dhunën e gjithanshme të ushtruar ndaj tyre. Njëqind vite më vonë gratë vazhdojnë të mos gëzojnë të drejta të barabarta dhe ndaj tyre ushtrohen forma të ndryshme të dhunës.

Në emër të AWEN – Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, në emër të organizatave që përfaqësojmë dhe në emër të qindra vajzave e grave të cilat përpiqemi t’i ndihmojmë çdo ditë, bashkohemi të përshëndesim përpjekjet e grave në të gjithë vendin  të cilat punojnë të sjellin ndryshimin nëpërmjet veprimeve paqësore, jo-të dhunshme dhe gjithëpërfshirëse dhe luftojnë për të drejtat e tyre në të gjithë vendin.

Ne kërkojmë pjesëmarrjen e plotë të grave dhe marrjen e roleve udhëheqëse të tyre në proçese të tilla si: angazhimi dhe pjesëmarrja në politikë, denoncimi dhe lufta ndaj të gjitha formave të dhunës, punësimi i drejtë dhe i sigurtë.

Ne i nxisim të gjitha organizatat e grave dhe strukturat e ndryshme shtetërore që të angazhohen dhe të zbatojnë proçese gjithëpërfshirëse në informimin, zhvillimin dhe zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit të Rezolutës 1325 (Gratë, Paqja dhe Siguria), dhe të Konventës për Eleminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW).  Këto plane duhet të integrojnë  qasjen dhe zbatimin e të drejtave të njeriut.

Ne kemi si detyrë të përbashkët të sigurojmë që gratë dhe vajzat, në mënyrë të veçantë ato të cilat janë më tepër në nevojë, të kenë mundësi të barabarta për t’u zhvilluar dhe për të përdorur të gjithë potencialin e tyre.

Premtimet e bëra deri më tani nga qeveria për eleminimin e të gjitha formave të diskriminimit ndaj gruas, duhet të realizohen !

Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri do të vazhdojë punën për të mbështetur dhe ndihmuar gratë dhe vajzat në nevojë në të gjithë zonat ku ne veprojmë dhe do të vazhdojë të luftojë për të siguruar fuqizimin e gruas në shoqërinë shqiptare në të gjitha drejtimet.

AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri

Shoqata e grave me probleme sociale, Durrës

Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim, Tiranë

Qendra Psiko-sociale “Vatra”, Vlorë

Forumi i Gruas, Elbasan

Gruaja tek Gruaja, Shkodër

Agritra Vizion, Peshkopi

Unë Gruaja, Pogradec

Shoqata”Jona”, Sarandë