“Alo 116117-a më ndihmoni”, t’i shpëtosh jetën dikujt vetëm me një telefonatë

“Alo, kam shumë frikë. Më shpëtoni se nuk dua të vdes”. Ishte kjo telefonata që tronditi Artën në orët e vona të mbrëmjes së fund të marsit të kaluar. Ishte koha kur e gjithë Shqipëria u izolua në shtëpi nga frika e një virusi që kërcënonte njerëzimin. Arta Naçi, ashtu si 9 këshillueset e tjera të Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza (LKGV) prisnin thirrjet nga shtëpitë e tyre. Gjatë atyre 3 muajve të frikshëm të pandemisë së Covid 19, këshillueset u përballën me mijëra thirrje, e mes tyre kërkesa nga më të çuditshmet dhe të pabesueshmet. E tillë ishte edhe telefonata e asaj nate.

“Ishte një grua e frikësuar, madje e tmerruar. Kishte tentuar 127-ën (Qendra Kombëtare e Urgjencave) por nuk ishte përgjigjur njeri dhe tentoi linjën tonë. Ishte me turbekuloz, ishte shtruar disa herë në spital. Dhe mendonte: Tani unë mora fund. Në spital nuk shkoj sepse bëhet fjalë për një virus që prek mushkëritë. Jetonte në një shtëpi me shumë lagështirë, nënë e vetme me shumë probleme ekonomike. Na tha se nuk kishte para të blinte ilaçet dhe ishte e frikësuar”-shpjegon Arta.

Edhe pse nuk bëhej fjalë për dhunë, ajo nuk u çudit aspak nga kërkesa e gruas. Arta kujton se në ato 2 muaj e gjysmë të izolimit, ato (këshillueset) merrnin thirrje nga më të çuditshmet që shpesh nuk kishin të bënin me raportimin e dhunës, por që tregonin se njerëzit kërkonin një rrugëzgjidhje dhe ishin të dëshpëruar sepse nuk mund të dilnin nga shtëpia.

 “Kam patur raste nga më të pabesueshmet, një grua thoshte se kishte humbur kartën e identitetit dhe nuk dinte çfarë të bënte. Na telefonoi ne sepse nuk kishte ku shkonte, ishte e izoluar. Këto lloj telefonatash ndodhën vetëm gjatë pandemisë. Kërkesa nga më të çuditshmet. Një grua e moshuar na telefononte shpesh sepse kishte konflikte me komshiun që i bllokonte ujin e pijshëm. Pas shumë përpjekjesh, nëna Bardhën e ndihmuam dhe ja zgjidhëm rastin. Por në një farë forme edhe ajo ishte dhunë, sepse fqinji i hynte në derë dhe e kërcënonte verbalisht”. – tregon Arta.

Rastet e dhunës referohen gjithnjë pranë institucioneve apo organizatave partnere, por telefonatat që morën gjatë pandemisë kërkonin zgjidhje të shpejta dhe ndonjëherë të improvizuara mjafton që t’i vinin në ndihmë atyre që telefonin. Dhe kështu atë natë, pas disa telefonatash zinxhir, një deputet i zonës reagoi menjëherë duke i siguruar mjekimet gruas së sëmurë edhe disa ndihma me ushqime.

Përgjatë një muaji, janë mbi 300 persona që kërkojnë ndihmë për rastet e dhunës në numrin e kësaj linje 116117, por numri i thirrjeve gjatë pandemisë së Covid 19 u trefishua. Shifrat e publikuara nga AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri, tregojnë se Linja Kombëtare për Gratë e Vajzat 116117 ka marrë rreth 2000 telefonata gjatë periudhës 10 mars – 18 Maj, duke shënuar një trefishim në krahasim me të njëjtën periudhë në vitin 2019. Ndër qarqet ku pati kërkesa më të mëdha për ndihmë ishin Dibra, Shkodra, Pogradeci, Durrësi dhe në mënyrë të ndjeshme edhe Elbasani. Pikërisht nga atje, Arta pak ditë më parë kishte marrë një tjetër thirrje.

“Një grua e tmerruar me vajzën 12 vjeçe na mori në telefon duke thënë se kishte frikë se i ati mund ta vriste. Ajo ishte e divorcuar me 2 fëmijë (njëri prej të cilëve jetonte në Itali) dhe kishte ardhur për të parë vajzën 12 vjeçare që kishte lënë në Shqipëri me prindërit. Gruaja jetonte në Danimarkë ku kishte krijuar një lidhje tjetër me një shtetas danez dhe ky ishte shkaku i zemërimit të babait. “Jam e tmerruar, kam frikë se do të më vrasë natën”. I ati i thoshte: Mu zhduk, nuk dua të të shoh, na turpërove”. Nuk dinim çfarë të bënim, sepse askush nuk mund të lëvizte nga shtëpia. Por duhej patjetër ta zhvendosnim në një vend të sigurt”- thotë Arta.

Brenda pak minutash ajo u lidh me organizatën partnere në Elbasan duke i kërkuar ndihmë. Megjithëse askush nuk mund të lëvizte, nëpërmjet telefonatave, arritën të gjejnë një dhomë sa për ta strehuar përkohësisht dhe në ditët në vijim, rasti mori zgjidhje të plotë pasi Arta kontaktoi me ambasadën daneze në Tiranë.

Në ato ditë të vështira izolimi përgjatë pandemisë, përgjigja ndaj thirrjeve për rastet e dhunës u bë edhe më e vështirë. Ndërsa tentonin t’i largoheshin shtëpisë ku përballeshin me dhunën, shumë gra ishin të frikësuara nga virusi. Askush nuk mund të dilte në rrugë, çka e bënte edhe më të vështirë punën për këshillueset e Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza. Por rastet e trajtuara prej tyre, tregojnë në fakt se mund t’i shpëtosh jetën dikujt edhe me një telefonatë. Arta mban mend se si ato ditë arritën në fakt t’i ndryshonin jetën jo vetëm një gruaje të dhunuar por gjithë familjes së saj.

“Gruaja ishte e frikësuar dhe e detyruar të më fliste nga rruga. Kishte dalë nga shtëpia për shkak të dhunës së bashkëshortit dhe më thoshte: “Kam shumë frikë, s’di nga kush të ruhem më parë. Kam frikë edhe nga virusi. Me vete kishte një prej fëmijëve, i cili kishte një problem shëndetësor. E lidha menjëherë me avokaten e Linjës dhe të nesërmen ajo e shoqëroi në polici për të bërë denoncimin e për të kërkuar urdhrin e mbrojtjes. Bashkëshorti e kishte qëlluar, ishte një dhunë e vazhdueshme pasi ai kishte varësi nga alkooli”.

Në ditët në vijim, Arta komunikoi sërish me të dhunuarën duke i ofruar jo vetëm këshillim psikologjik, por edhe informacione mbi terapitë e dezintoksikimit për të alkoolizuarit.

“Ajo nuk kishte fare dijeni mbi kura te tilla. Nuk donte të divorcohej dhe për fat urdhri i mbrojtjes e kishte frikësuar të shoqin. Ai pranoi të kurohej dhe arriti të heqë dorë nga alkooli. Avokatja pak kohë më pas, na tregoi që ata ishin shumë mirë dhe bashkëshorti nuk ushtronte më dhunë. Urdhri i mbrojtjes në fakt në shumë raste i frikëson burrat dhunues. Por shumë rrallë ndodh që çifti të ripajtohet. Kjo ishte si një mrekulli në ato ditë të vështira”.  

Arta shpjegon se fatkeqësisht “mrekulli” të tilla ndodhin rallë sepse në pjesën më të madhe të rasteve dhuna është e stërzgjatur pasi gratë durojnë shumë, kryesisht për hir të fëmijëve. Por mbi të gjitha janë gra totalisht të varura ekonomikisht nga bashkëshortët, ndërsa edhe prindërit ndikojnë për keq duke mos i mbështetur vajzat e tyre.

“Kemi plot raste që baballarët na telefonojnë duke na thënë: -Nuk kam ku ta çoj vajzën, dua të kthehet te burri. Po ku të kthehet? Tek dhunuesi, tek monstra që e rreh?”

Arta Naçi punon prej 2 vitesh pranë LKGV bashkë me 9 këshilluese të tjera. LKGV hapi Linjën e parë të Këshillimit për Gra dhe Vajza të dhunuara në Shqipëri më 1996. Kjo linjë ofron këshillim telefonik si dhe këshillim ballë për ballë për qindra gra çdo vit me qëllim fuqizimin dhe mbështetjen e grave që janë viktima të dhunës.