“O pjeshke të hëngsha by*ën”, mesazhi që kërkon të ndërgjegjësojë të rinjtë mbi krimet seksuale
Prej kohësh në rrjetet sociale po qarkullon një video që tenton të ndërgjegjësojë të rinjtë mbi format e krimeve seksuale dhe ndëshkueshmërinë e tyre. E realizuar nga Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN) në kuadër të Javës së Ndërgjegjësimit kundër Abuzimit Seksual videoja e titulluar “Bëji ‘BLOCK’ dhunës seksuale!” synon të rrisë raportimet, por mbi të gjitha në parandalimin e këtyre krimeve.
Në skenën e parë dy djem të rinj po bisedojnë në një stol ndërsa kalon para tyre një vajzë, të cilën njëri prej djemve e përndjek prej kohësh. Ndërsa ai përpiqet ta ngacmojë sërish duke e vënë në siklet me fjalë si “të hëngsha bythën”, shoku i tij i tërheq vëmendjen se kjo përndjekje e ka traumatizuar vajzën dhe ai mund të përfundojë në burg, pasi bëhet fjalë për një vepër penale të dënueshme ligjërisht. “Hajde këtu mo shoku, e di që quhet përndjekje kjo që po bën ti dhe rrezikon deri në 5 vjet burg. Madje po qe nën 18 vjeç ajo, rrezikon edhe më shumë”-përfundon dialogu.
Ndërsa skena e dytë përshkruan rastet e ngacmimeve seksuale online, një prej fenomeneve më të shpeshta që ndodh sot me zhvillimin e jashtëzakonshëm të rrjeteve sociale. Dy shoqe po pijnë kafe në një lokal, kur njërës prej tyre i vjen një mesazh në telefon. Vajza i tregon shoqes se një
person vazhdon ta ngacmojë prej kohësh duke i dërguar jo vetëm mesazhe por edhe fotografi të zhveshura të tij. Ndërsa ajo ndjehet e pafuqishme pasi e ka bllokuar në rrjetet sociale por ai vazhdon ta ngacmojë nëpërmjet celularit. Vajza tjetër i kërkon shoqes së saj që të shkojnë dhe ta denoncojnë rastin në polici, por ajo mendon se policia nuk merret me të tilla çështje. “E ke gabim, ky quhet ngacmim seksual online, dhe dënohet me burg si çdo ngacmim tjetër seksual”- përgjigjet vajza.
Skena e tretë e videos fokusohet tek marrëdhëniet seksuale pa miratimin apo pëlqimin e partnerit/partneres, diçka për të cilën shumë të rinj nuk janë të ndërgjegjshëm se bëhet fjalë për një vepër penale dhe e dënueshme me burg. Dy të rinj të cilët janë të dashur po shohin një film, ndërsa djali tenton të puthë vajzën dhe fillon ta prekë në pjesë të ndryshme të trupit. Por vajza duket në siklet dhe nuk ka dëshirë që të vazhdojë më tej me të dashurin e saj. Ajo tenton disa herë të largohet në mënyrë të qetë, por i dashuri vijon ta prekë e madje tenton ta zhveshë me bindjen se ajo “po bën sikur nuk do”. Por insistimi i tij deri në arrogancë e bën vajzën të ngrihet e nevrikosur. “Po jo pra jo. Nuk dua. Dhe që ta kesh të qartë, nëse unë nuk dua, kjo quhet marrëdhënie seksuale me dhunë dhe ti ha burg deri në 10 vjet”- thotë vajza dhe largohet.
Ndërsa në skenën e 4 një djalë tenton të bindë përmes mesazheve ish të dashurën e tij të takohet me të dhe pasi nuk ia del e shantazhon duke i thënë se do t’i publikojë fotografitë e saj intime. Por edhe kjo dënohet me ligj dhe vajza nuk bie në kurthin e tij. Përkundrazi. “Provoje ta bësh dhe unë shkoj direkt në polici. Mendoje ti edhe një herë sepse do të jesh ti që do përfundosh në burg për nja 2 vjet”- shkruan në mesazhin e saj vajza, çka e bën djalin të “dorëzohet”.
