“O ju burrat e Shqipnisë!
Unë, biri i pushkës tuaj,
I lindun fëmi e i fabrikum si burrë
Unë që natën qaj e ditën baj me qa”
A dinë burrat shqiptarë të duan? Po burrat që vrasin gratë, a dinë të duan ata? Mbase jo, sepse ata “u lindën fëmijë të fabrikuar si burra, që natën qajnë e ditën bëjnë të qajnë”. Sepse në kontekstin kulturor shqiptar, një burrë që qan, që shpreh emocionet e tij, që e manifeston dashurinë ashtu siç dashuria meriton të manifestohet, butë e qetë, jo vetëm që tallet, përqeshet dhe diskriminohet nga “aleanca” e burrave të tjerë, por edhe akuzohet si deformues i karakterit tradicional burrëror. I këtij mendimi është poetja shkodrane Suada Halili, poezia e së cilës “Edhe burrat dinë me dasht” tashmë është kthyer në një himn kundër dhunës.
“Me të njëjtën forcë që shoqëria i stërvit vajzat të shndërrohen në gra të urta, të bindura dhe të devotshme, stërvit edhe burrat të jenë të fortë, trima e të pandjeshëm. Burrave nuk i asht mësu dashuria por pushteti, dhe vetë dashuria iu asht tregu si një ndjenjë e dobët, delikate, e brishtë, tipike “femërore. Shoqëria pranon pa asnjë trazim një burrë të dhunshëm, por jo një burrë të “dobët”. Asht kaq e palogjikshme dhe e padenjë sesi jeta jonë përcaktohet nga një organ gjenital”
Dëshmitare e dhunës në realitetin shqiptar, Ada e cila prej vitesh shkruan poezi ku shpesh gruaja është në qendër, vendosi të përdorë sërish armën e saj më të fortë për ta goditur fenomenin e dhunës ndaj grave, fjalën. Ishte shoqata “Gruaja tek gruaja” në Shkodër që i kërkoi asaj të shkruante një poezi pikërisht me titullin “Edhe burrat dinë me dasht” si pjesë e një fushate që ka nisur prej 5 vitesh, për të mbërritur më pas tek kënga.
“Duke qënë se prej vitesh, “Zyra për djem e burra” është pjesë e organizatës “Gruaja te gruaja” kemi kuptuar se burrat mund dhe duhet të jenë aleatë për të bërë një ndryshim ne këtë luftë kundër dhunës. “Burrat dinë me dashtë” është në fakt një cikël që ka nisur prej 5 vitesh me aktivitete të ndryshme që zhvillohen në ditën ndërkombëtare kundër dhunës ndaj grave.
Vitet e kaluara kemi zhvilluar ekspozita me piktura, fotografi, aktivitete kërcimi. Kësaj herë
vendosëm të përdorim muzikën, si ushqim i shpirtit. Pra, jo vetëm fjalët por gjetëm një mënyrë përmes kësaj kënge për ta bërë mesazhin sa më të prekshëm dhe real tek njerëzit”- thotë Tonilda Çela, punonjëse sociale e organizatës “Gruaja tek gruaja”.
Ishte pikërisht ajo që konktatoi me poeten për të nisur kështu projektin e kësaj kënge që u
publikua në 25 nëntor në Ditën Ndërkombëtare për Eleminimin e Dhunës ndaj Grave. E pyetur çfarë e ngacmoi apo frymëzoi për tekstin e kësaj poezie, Halilaj thotë se thuajse gjithmonë dhuna ndaj grave përplaset në tryezat e diskutimeve apo në ekranet televizive si çështje apo problem i grave. Se ne të gjithë pyesim kush ishte viktima e jo dhunuesi.
“Grave ua zhveshim trupin për t’u parë njollat e dhunës. Grave ua rrëfejmë historinë, ua
zbardhim identitetin, ua cënojmë pavarësinë e i futemi në shtëpi e në shpirt vetëm për hir të kureshtjes tonë aspak delikate. Njëherë e përgjithmonë, duhet të kuptojmë që dhuna gjinore, vrasja e grave asht problem i burrave, asht faji i burrave, prandaj duhet të kthejmë sytë nga burrat”.
Për këtë arsye, sipas poetes duhet të jenë vetë burrat të parët që të dënojnë dhunën pa u prekur në sedër me parullën “jo të gjitha burrat jemi njësoj”. E natyrshëm, një këngë kushtuar burrave, atyre që dinë me dasht, por edhe atyre që askush nuk ua mësoi me dasht, nuk mund të këndohej përveçse nga një i ri që beson fort se ky mesazh mund “të shqyejë” kafazin e mentalitetit patriarkal shqiptar. 22 vjeçari Eugjen Marku, kitarist dhe vokalist i grupit rrok “BRiOS”, thotë se e pëlqeu shumë projektin që i propozuan anëtarët e shoqatës “Gruaja tek Gruaja”, veçanërisht pasi lexoi edhe tekstin e poezisë.
“Qëllimi jonë ishte që kënga të jepte një mesazh të fortë dhe besoj që ashtu ndodhi. Sapo e lexova tekstin për herë të parë, më dha atë idenë e një himni që i bën thirrje të gjithë njerëzve të ndalen pak e të mendojnë për këtë fenomen që ende vazhdon në shoqërinë tonë”- thotë Marku.
Në videoklipin e këngës “Edhe burrat dinë me dashtë” ai shfaqet që në fillim brenda një kafazi bashkë me aktorin Gert Palali.
“Kafazi simbolizon mentalitetin e gabuar që ka mbyllur brenda shumë burra, e shumë prej
tyre nuk po arrijnë të dalin prej tij. Gerti përfaqëson një burrë i cili mundohet me gjithë forcë e tij të dalë nga ky kafaz. Edhe pse duket e pamundur ai vazhdon të ketë shpresë”. Videoklipi i këngës mbyllet me prindër e fëmijë që ngrenë balonat, çka sipas këngëtarit
simbolizojnë të ardhmen dhe shpresën që gjërat do të ndryshojnë. Edhe Tonilda Çela thotë se ndryshimi i këtij metalitetit nis me mënyrën se si do të edukohen brezat e rinj.
“Fakti që ne jemi pjesë e veriut e duhet me mbajt mbi shpinë traditat e vjetra, por ndonjëherë zgjedhim jo traditat e duhura, tradita burrnore, se si portretizohen burrat dhe gratë në pozicione të ndryshme të shoqnisë. Ajo çka çalon më shumë është mënyra e edukimit që ende vazhdon, asht prindi ai që mund ta bëjë ndryshimin, për me i eduku djemtë dhe vajzat të barabartë”