Izolimi dhe e gjithë situata e krijuar si pasojë e epidemisë së koronavirus në Shqipëri, nuk i ka penguar aspak avokatet e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare (QNLQ) të mbrojnë viktimat e dhunës me bazë gjinore përpara ligjit. Vetëm pak ditë më parë kjo organizatë shënoi dy histori të tjera suksesi duke mbrojtur jo vetëm gratë e dhunuara por edhe fëmijët e tyre të mitur falë impelementimit të Konventës së Stambollit që garanton mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna e asistuar.
Një 41 vjeçare e papunë dhe me 2 fëmijë kishte 3 vite që kërkonte mbrojtje institucionale për shkak të dhunës së vazhdueshme nga bashkëshorti. Ajo e kishte e njohur të shoqin që 15 vjeç dhe pavarësisht keqtrajtimit dhe dhunës së vazhdueshme, kishte tentuar disa herë që ta falte dhe të shpëtonte familjen e tyre. Por degradimi i të shoqit, si pasojë edhe e konsumimit të alkoolit solli në një përshkallëzim të dhunës së ushtruar ndaj 41 vjeçares. Vetëm pasi situata u bë kritike, ajo bëri denoncimin e parë në vitin 2017.
Veç dhunës dhe alkolizimit, gruaja duhej të përballej dhe me huadhënësit që vinin dhe kërkonin borxhet e marra nga I shoqi, çka solli edhe rrënimin ekonomik të familjes, pavarësisht se ajo punonte ndonjëherë edhe 2 punë. Pavarësisht sakrificave dhe tentativave për ripajtim, 41 vjeçarja u përball më së shumti me kërcënime dhe ofendime nga bashkëshorti i denoncuar.
E frikësuar se situata mund të përkeqësohej, jo vetëm për të, por edhe për 2 fëmijët e mitur që ishin dëshmitarë të gjithë formave të dhunës që babai kishte ushtruar ndaj nënës së tyre, M.B vendosi ta çojë çështjen në gjykatë falë asistencës ligjore të avokateve të QNLQ Etleva Zeqiraj dhe Andia Dragoj.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës pati dhënë 2 urdhëra mbrojtje për 41 vjeçaren dhe fëmijët e saj të mitur, një në vitin 2018 dhe një vit më pas , në 2019-ën. Vetëm pas një beteje të gjatë ligjore që vërtetoi dhunën e vazhdueshme të ushtruar ndër vite, Gjykata vendosi prishjen e martesës dhe lënien e fëmijëve të mitur nën kujdestarinë e gruas.
Një tjetër rast suksesi i arritur pikërisht në këtë periudhë pandemie globale nga QNLQ është edhe ai i Etlevës, një tjetër gruaje të dhunuar psikologjikisht në mënyrë sistematike nga bashkëshorti i saj.
Vendimi për zgjidhjen e martesës, solli një përshkallëzim të dhunës me fyerje, presione, shantazhe dhe përndjekje të drejtëpërdrejtë ose duke përdorur telefonin dhe rrjetet sociale. Madje referuar dëshmive në gjykatë, bashkëshorti e ka kërcënuar edhe me përdorimin e armës.
Rreth një muaj pas denoncimit të saj, Etleva doli përpara gjykatës e përfaqësuar nga avokatja e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare (QNLQ), Lirie Dina duke kërkuar urdhërin e menjëhershëm të mbrojtjes.
Kështu, javën e kaluar gjykata vendosi lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes për një afat kohor 1 vit duke urdhëruar dhunuesin të mos kërcënojë, ngacmojë apo kontaktojë Etlevën, ndërsa duhet të mos i afrohet në një distancë prej 200 metrash.
Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNLQ) është krijuar në nëntor të vitit 1997, si projekt i Shoqatës së Grave Juriste. Në vitin 2001, regjistrohet në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, si organizatë jofitimprurëse me statusin Qendër, e emërtuar “Qendra Avokatore për Gratë”. Në vitin 2004, me vendim të Bordit Drejtues, vendoset zgjerimi i qëllimit dhe veprimtarisë së Qendrës, e cila mori emrin Qendra për Nisma Ligjore Qytetare.
QNLQ është pjesë e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas dhe ka si mision ndërmarrjen e nismave ligjore qytetare për mbështetjen, ndihmën dhe edukimin ligjor të shtetasve, me përparësi të grave dhe vajzave, me qëllim që të gëzojnë e të ushtrojnë të drejtat e njohura me ligj, duke rritur aksesin e tyre në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet e tjera të vendit. QNLQ funksionon si qendër shërbimi juridike dhe psiko-sociale për gratë e dhunuara dhe të varfëra. Të gjitha shërbimet ofrohen falas.