HISTORIKU

Rrjeti i Fuqizimit të Grave Shqiptare (Albanian Women Empowerment Network)- AWEN është krijuar në 1 korrik 2009 (dhe regjistruar në 27 dhjetor 2011) si një nismë e tetë organizatave jofitimprurëse që fokusohen në mbrojtjen e gruas, me mbështetjen e çmuar të Fondacionit Kvinna till Kvinna.
Themelimi i këtij rrjeti u bë një domosdoshmëri për të forcuar bashkëpunimin midis këtyre organizatave, për të rritur ndikimin e ndërhyrjeve dhe iniciativave të përbashkëta dhe për të fuqizuar lëvizjen feministe në Shqipëri. Tani, AWEN është një rrjet i regjistruar zyrtarisht, i cili përbëhet nga organizata të vendosura në shtatë qarqe të Shqipërisë nga veriu në jug, ku jetojnë dy të tretat e popullsisë shqiptare.
Ndërsa fillimisht filloi si një rrjet prej tetë organizatash (2011), rrjeti aktualisht numëron 10 organizata anëtare. Organizatat anëtare të AWEN përqëndrohen në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave dhe avancimin e çështjeve të barazisë gjinore në Shqipëri dhe kanalizojnë punën e tyre në drejtime të ndryshme si ofrimi i një shumëllojshmërie shërbimesh të specializuara mbështetëse për gratë dhe vajzat viktima të dhunës në familje, shpërndarjen e informacionit, lobimin dhe avokimin, ngritjen e kapaciteteve të aktorëve lokalë, kryerjen e rishikimeve dhe hulumtimeve etj., në të gjithë Shqipërinë.

Sot, rrjeti ynë përbëhet nga 10 organizata nga rajone të ndryshme të vendit:

• “Qendra Shqiptare për Gratë me Probleme Sociale” (Durrës);
• “Unë Gruaja” (Pogradec);
• “Agritra Vision” (Peshkopi);
• “Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC, Tiranë);
• “Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza” (Tiranë);
• “Gruaja për Gruan” (Shkodër);
• “Forumi i Gruas Elbasan” (Elbasan);
• Qendra Psiko-Sociale Vatra” (Vlorë);
• Shoqata “Jona” (Sarandë);
• “Qendra për Nisma Ligjore Qytetare” (Tiranë);

VIZIONI YNË

“Një shoqëri ku gratë dhe vajzat gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre të njeriut.”

MISIONI YNË

“Të punojmë së bashku për të fuqizuar gratë dhe vajzat nga pikëpamja sociale, ekonomike dhe politike, për të marrë pjesë dhe realizuar të drejtat e tyre, pavarësisht orientimit të tyre politik, fesë, nivelit arsimor, moshës, orientimit seksual, aftësisë së kufizuar, identitetit seksual, apo faktorëve të tjerë”.

Ne do të arrijmë qëllimet tona nëpërmjet advokimit të përbashkët në nivel ndërkombëtar, kombëtar dhe lokal, rritjes së ndërgjegjësimit, monitorimit, ndërtimit të kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse që ata të jenë të aftë të kryejnë detyrimet e tyre në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe konventat ndërkombëtare dhe hulumtimeve mbi mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut të grave, duke shërbyer si një forum për ndarje praktikash dhe njohurish, si një lehtësues për zhvillimin e kapaciteteve të anëtarëve, si dhe menaxhimit të granteve për anëtarët e rrjetit dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile.
Rrjeti ynë punon për mbrotjen e të drejtave të njeriut, sidomos të drejtat e grave dhe vajzave, duke synuar fuqizimin social, ekonomik, kulturor dhe politik të tyre. Fushat kryesore tematike janë:

• Dhuna kundër grave;
• Fuqizimi ekonomik i grave;
• Pjesëmarrja e grave në politikë.