“Iku nga shtëpia me rroba të grisura”, ja se si turpi “fsheh” dhunën seksuale të bashkëshortëve

“Sa budallaqe paskam qenë, sa shumë kam duruar. Duroja drurin, pijen, të sharat. E kam duruar për vite e vite me radhë”. Vetëm sot, pasi ka kaluar gati një vit nga vendimi i saj për të lënë burrin, Lida ka fituar qetësinë dhe arrin të tregojë ngadalë gjithë vuajtjet e përjetuara. Por kjo grua e paqtë që tani flet me vetëbesim në prani të anëtareve të “Forumit të Gruas Elbasan” (FGE) nuk është aspak e njëjta me gruan e shpërfytyruar që ato panë në një natë të ftohtë dhjetori të 2017-ës. Bashkë me vajzat Lida ishte larguar në mes të natës me rrobat e gjumit dhe kur arriti te Strehëza e kësaj organizate nuk mundej as të fliste.
“Atë natë kur iku nga shtëpia, doli me rroba trupi dhe të grisura. Ai (burri) e kishte goditur disa herë. Qanin të treja kur erdhën tek strehëza”- më tregon Mirela Gjoni, psikologe e Forumit të Gruas Elbasan. Sipas saj, shumica e grave që vijnë e kërkojnë ndihmë, e durojnë dhunën për vite të tëra e nuk gjejnë forcë për të kundërshtuar.
“Kam ikur disa herë, por prapë e falja e kthehesha në shtëpi se nuk doja të prishja familjen. Deri sa ishte gjallë kisha frikë mos më vriste.”- tregon Lida.
Ndërsa Dhoksi Gjoka punonjësja sociale e kësaj organizate që është pjesë e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN) shpjegon se vetëm kur ndodh diçka shumë e rëndë, këto gravendosin t’i japin fund dhunës e t’a denoncojnë. Dhe në fakt, atë natë diçka shumë e rëndë kishte ndodhur.
“E kishte shumë të vështirë të tregonte, qante, mekej dhe i merrej fryma. E lija të qetësohej e më pas vazhdonte prapë”-tregon Gjoka.
Ajo më shpjegon se Lida kishte vite që duronte dhunën psikologjike dhe fizike nga i shoqi, por ajo çka ishte më e tmerrshme, ishte fakti se ai ushtronte edhe dhunë seksuale, madje edhe në prani të fëmijëve, tashmë të rritur. Në atë dhomë të vogël ku jetonin gati në skamje të katërt, ai e kishte përdhunuar disa herë, por këtë Lida do ta pranonte shumë vonë.
“Thuajse të gjitha gratë që vijnë këtu e mbulojnë abuzimin apo dhunën seksuale pas iu vjen turp, por ky element doli ndërsa ajo tregoi historinë. Ajo e pranoi vetë, dhe ishte ndër arsyet më të rëndësishme që vendosi t’i japë fund, mbi të gjitha për fëmijët, e pastaj për vete”-vijon Gjoka.
Ajo është një nga gratë që i qëndroi pranë Lidës në aspektin psikologjik, ndërsa Soela Kurti, avokate e “Forumit të Gruas Elbasan” u kujdes për aspektin ligjor, duke i ofruar Lidës, ashtu si shumë grave të dhunuara, mbështetje për të kërkuar urdhërin e mbrojtjes e më pas divorcin nga bashkëshorti.
“Bashkëshorti sa herë që vinte në seancat gjyqësore ishte i alkoolizuar dhe në atë gjendje vinte në çdo seancë e ishte agresiv”-shpjegon Kurti.
Punonjësja sociale Gjoka, thotë se Lida nuk është thjesht një përfituese e kësaj organizate. Dashje pa dashje, ato krijojnë një marrëdhënie njerëzore me çdo grua që hyn në këtë ambient e kërkon ndihmë. Ishin anëtaret e “FGE” që përpos mbështetjes si organizatë, bën të pamundurën që vajza e saj të vijonte studimet e larta pavarësisht kushteve të vështira ekonomike.


Gjyqtarët e konsiderojnë dhunën “grindje familjare”


Në rastin e Lidës, ajo ishte viktima e parë e dhunës, por bashkë me të edhe 2 fëmijët, edhe pse se në mënyrë indirekte, ishin dëshmitarë të abuzimit dhe dhunës. Kurti ngre shqetësimin se në shumë raste, gjyqtarët nuk marrin në konsideratë kërkesën e avokatëve që edhe fëmijët të marrin urdhër mbrojtje.
“Gjyqtarët nuk e konsiderojnë që edhe fëmijët të marrin urdhër mbrojtje. I japin urdhrin e mbrojtjes vetëm nënës me idenë që nuk mund t’ja mohosh babait të drejtën për t’u takuar me fëmijën ndërkohë që ky baba është një baba dhunues, i alkoolizuar, ka dhe probleme me shëndetin mendor siç kemi patur plot raste. Por në gjykatë thonë : “Hë se një shpullë i dha babai”-shpjegon Kurti. Fatmirësisht me ndryshimet e reja ligjore, ky komponent ka pësuar ndryshime, por gjithsesi hasen shume sfida për të bindur gjyqtarët që fëmija është palë e dëmtuar.
Sipas saj shumë shpesh, gjyqtarët e konsiderojnë dhunën si “grindje familjare” dhe refuzojnë të japin urdhër mbrojtje duke e cilësuar si një kërkesë të thjeshtë për zgjidhje martese. “Ka patur edhe raste kur rrëzohet tërësisht kërkesa për urdhër mbrojtje, madje është një gjyqtar prototip që i konsideron si konflikte normale që ndodhin në familje e nuk bëjnë pjesë tek dhuna në familje”-vijon Kurti.
Ajo thekson se shumë prej gjykatësve nuk janë të trajnuar nga shkolla e Magjistraturës për Ligjin e Dhunës në Marrëdhëniet Familjare dhe ndryshimet e fundit që janë bërë rreth 1 vit më parë të cilat kanë ashpërsuar ndëshkimin ndaj dhunës me bazë gjinore duke ofruar më shumë mbrojtje për viktimat dhe fëmijët e tyre.
Shoqata ‘ForumiGruas Elbasan’ (FGE), ka nisur punën në vitin e largët 1991, si një degë e Forumit te Pavaruar të Gruas Shqiptare. E regjistruar si shoqatë në janar të vitit 2000, nën drejtimin e Zj. Shpresa Banja, kjo organizatë ka ndihmuar qindra vajza e gra në Qarkun e Elbasanit që të dalin nga cikli i dhunës duke ofruar asistencë psiko-sociale, ligjore, strehim afatshkurtër, referim rasti, etj.