Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza – Tiranë.

PROFILI I QKGV

Qendra e Këshillimit për Gratë dhe Vajzat ekziston që prej vitit 1996 me qëllim promovimin e barazisë gjinore, mbrojtjen e të drejtave të grave si të drejta themelore, mbështetje ndaj viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, edukim dhe fuqizim ekonomik të grave dhe vajzave në shoqërinë shqiptare.

Misioni: QKGV kontribuon në emancipimin e shoqërisë shqiptare për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të grave dhe vajzave nëpërmjet shërbimeve për viktimat e dhunës në familje, programeve parandaluese dhe ndërgjegjësuese, avokimit dhe punës kërkimore.

Vizioni: Vizioni i QKGV është krijimi i një kulture ku dhuna në familje është e patolerueshme, ku shoqëria kontribuon për fuqizimin e viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore dhe ku drejtësia vepron efektivisht ndaj abuzuesve.

Qendra e Këshillimit për Gratë dhe Vajzat mbështetet në parimin se një jetë e sigurtë dhe pa dhunë është një e drejtë themelore dhe në mbështetje të këtij parimi, vazhdimisht, Qendra ofron mbështetje të specializuar për gratë dhe vajzat, inkurajon çdo veprim individual apo institucional kundër dhunës së burrave ndaj grave dhe kontribuon në fuqizimin e rrjeteve të grave dhe aktivizmin e shoqërisë civile.

Qendra e Këshillimit për Gratë dhe Vajzat ofron mbështetje ndaj viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore në të gjithë territorin si dhe një numër të madh aktivitetesh informuese dhe ndërgjegjësuese për publikun, konsultime me ato gra që jetojnë me traumën e dhunës në familje nëpërmjet shërbimit të Qendrës kombëtare telefonike, dhe shërbimeve psikosociale. Qendra zbaton programe edukimi për profesionistë të shërbimeve të ndryshme shtetërore, ndërmerr monitorimin e zbatueshmërisë së politikave publike dhe vlerëson ndërhyrjet konkrete në përmirësimin e shërbimeve publike si pjesë e avokimit për ndryshime/përmirësime afatgjata.

Gjatë viteve të fundit, Qendra e Këshillimit për Gratë dhe Vajzat ka arritur në përfundimin se angazhimi i djemve dhe burrave si partnerë me vajzat dhe gratë është domosdoshmëri për krijimin e barazisë gjinore dhe zhdukjen e dhunës me bazë gjinore. Si rezultat QKGV krijoi Qendrën e Këshillimit për Burrat dhe Djemtë që ofron shërbime këshillimore për burrat si kryes të dhunës në familje. Qendra e Këshillimit për Burrat dhe Djemtë ka përfshirë, vazhdimisht, në veprimtarinë e punës së saj edhe ndërgjegjësimin për edukimin e të rinjve.

Qendra e Këshillimit për Gratë dhe Vajzat ka zhvilluar statusin e saj mbi një sërë shërbimesh dhe profesionalizmi si më poshtë:

  • Shërbime të drejtpërdrejta. Kjo veprimtari shtrihet në 20 fshatra dhe rrethina të Tiranës, 15 fashtra të Shkodrës, 10 fshatra të Beratit dhe 12 fshatra të Pogradecit. Gjatë periudhës 2008-2016 kanë përfituar shërbime të drejtpërdrejta rreth 114,000 gra, këshillim individual rreth 28,700 gra dhe vajza, si dhe këshillime në grup mbi 4200 gra.
  • Punë kërkimore dhe studime kushtuar çështjeve që lidhen me dhunën në familje; dhe dokumentimin e dëshmive dhe analizën e rasteve të mbledhura.
  • Ndërgjegjësim dhe ndërmarrje të fushatave sensibilizuese nëpërmjet anganzhimit të medias, dhe përgatitjes së strategjive të komunikimit; organizimit të veprimtarive publike për grupe profesionale dhe publikun e gjerë.
  • Ngritje kapacitetesh dhe trajnim për grupe të caktuara profesionistësh si punonjës të policisë, gjyqtarë, edukatorë, mjekë dhe punonjës socialë dhe drejtues dhe përfaqësues të komuniteteve; orientim profesional dhe trajnime për të gjitha qendrat që mbështesin viktimat e dhunës në familje në Elbasan, Durrës, Lezhë, dhe Kukës.
  • Avokim: Qendra ka ofruar ekspertizë dhe rekomandime në përgatitjen dhe përmirësimin e Kodit të Familjes, ligjit për barazinë gjinore, ligjit për ndihmën dhe shërbimet sociale si dhe ligjin për masat kundër dhunës në familje.