“Më vuri thikën në fyt, por vendosa të jetoj për fëmijët e mi”

Sa herë takoj një grua të dhunuar më habit forca e tyre për të rrëfyer muaj, e madje edhe vite nën presion, frikë e dhunë psikologjike apo fizike. Shpesh jam përballur me gra që nuk i mbajnë dot lotët ndërsa më tregojnë, dhe besoj është mëse normale. Por kur takova Enin, u befasova nga një energji e forcë e brendshme që nuk e dija se nga buronte, por që do ta zbuloja gjatë rrëfimit të saj.

Kishte rënë në dashuri 19 vjeçe me ish bashkëshortin e saj, megjithëse sot thotë se as që e dinte se çfarë ishte dashuria. “Nga varfëria, prindërit nuk më dërguan në shkollë edhe pse isha me mesatare 8.5 në gjimnaz. Sot babai im nuk ja fal vetes. Unë doja të shkoja në shkollë dhe nuk kam reshtur së qari, por ata nuk më dërguan. Pastaj veç martesa ngeli. Ai ishte edhe 10 vjet më i madh dhe unë mendova se isha me fat. Thashë – është më i pjekur, i ka kaluar aventurat”.

Por në fakt, nuk rezultoi ashtu. Pas viteve të para të martesës, të cilat ishin disi të qeta, ardhja në jetë e një fëmije me autizëm ndryshoi gjithçka mes tyre. “Problemet filluan kur mësuam që djalin e kishim me autizëm. Mbase ai ishte më i dobët si karakter për ta përballuar dhe pastaj ma nxirrte mua. Më thoshte-“ti e ke fajin” ose “E keni në rracë”.

E ndërsa i duhej të luftonte për djalin e sëmurë, për Enin filloi një tjetër betejë, ajo kundër një bashkëshorti që e ofendonte dhe e përbuzte. “Edhe ekonomia ndikon. Kemi lënë me miliona lekë me djalin në përpjekje për ta përmirësuar. Por ndërkohë filloi dhe tradhtia. Kur vinte në shtëpi kuptoja se fliste me të tjera, rrinte me të tjera. Unë i kundërvihesha se normal, e doja burrin për veten time. Pastaj filloi të thoshte “ku bën ti për mua, unë nuk do të kisha marrë kurrë, ti e ke familjen e atillë”, të shara e ofendime pafund. U bënë goxha vite, pastaj filloi edhe të pinte.”

E dëshpëruar nga gjithë kjo situatë, Eni më tregoi se arriti deri aty saqë tentoi të vriste veten. Por pasi arriti të shpëtojë, kuptoi se nuk ja vlente të linte 2 fëmijët jetimë për një burrë. Por pikërisht kur ajo vendosi të mos toleronte më sjelljet e të shoqit nisi dhe dhuna fizike që shumë shpejt arriti deri tek kërcënimet për ta vrarë. Ishte pikërisht ky momenti që e bëri Enin të vendoste për t’i thënë MJAFT.

“Ai gjeti ngushëllim duke folur me të tjerat ndërsa unë bëja punët e shtëpisë, fëmija paradite në shkollë, pasdite në terapi, e pastaj haja dhe drurin kot. Por kur arriti te thika, të mos kishte ndërhyrë djali që bërtiti, mund edhe të më kish goditur. Atëherë i kam thënë stop, deri këtu të durova. Tradhtinë, ekonominë, sharjet, përbuzjet, ofendimet, ama të vësh thikë mbi mua, të lë fëmijët rrugëve unë për ty, jo. Më thoshte – Do të ther, do të vras. Unë thashë STOP në momentin që ai ngriti thikën. Ika nga shtëpia”.
Por vendimi për ta braktisur një bashkëshort gati të alkoolizuar, tradhtar dhe dhunues nuk qe aspak i lehtë. Aq më tepër që Eni ishte e papunë, dhe jetonte në një qytet të vogël si Pogradeci. E gjendur vetëm e pa përkrahje ajo gjeti mbështetje tek stafi i organizatës “Unë gruaja”, të cilat i ofruan së pari mundësinë që të fliste e të hapej për gjithçka që po përjetonte.
“Çupat ishin shumë të gatshme të më dëgjonin. Nëse ke anën psikologjike keq apo do të flasësh me ne, mund të të ndihmojmë. Çdo gjë që kisha ua thashë atyre”. Ishte pikërisht mbështetja e kësaj organizate që ka ndihmuar me qindra gra që prej krijimit të saj 16 vite më parë, që i dha mundësinë Enit të niste procedurat e divorcit edhe pse nuk kishte asnjë lekë në xhep. “Unë gruaja” i dha mundësinë që ajo të këshillohej me një psikologe, ndërsa i ofroi edhe ndihmën ligjore gjatë procesit të ndarjes.
“U drejtova një herë në bashki dhe kërkova ndihmë për çështjen e gjyqësorit. Kur më tha avokatja dhe psikologia, më shkonte rreth 1 milion lekë. Unë nuk i kisha. Gocat e organizatës më ndihmuan me psikolog sepse realisht gjendja ime ekonomike është vetëm 220 mijë lekë të vjetra në muaj. Të treja bashkë me psikologen bashkëbiseduan me të dy djemtë. Bëmë prezantim me bashkëshortin dhe 2 herë erdhën në gjykatë. Më kanë ndihmuar shumë dhe jam jashtë mase e kënaqur”.
Sot, megjithëse mezi ia del ekonomikisht, Eni ndihet e qetë dhe ka vendosur t’ja dedikojë çdo moment dy fëmijëve, prej nga buron dhe gjithë forca e saj për të vazhduar përpara. “Është shumë e vështirë por jam e qetë psikologjikisht dhe ha bukë rehat. Atë fasule, atë lakror që ha, e ha e qetë se nuk më shqetëson njeri. Plus që punoj, të shtunë, të dielë pastroj shtëpi, nuk e kam për turp. Turp e kam po të bëj turp. Me një fëmijë autik do merrem se është dhuratë e Zotit, me një burrë të tillë jo. Tani unë dua vetëm të jem e qetë psikologjikisht dhe të nxjerr fëmijët në jetë. Thjesht dua që djali i madh të arrijë gjërat më elementare, të jetë i zoti i vetes, që unë të mos iki me kokë mënjanë”.
Është e çuditshme se si gratë që vendosin të ndahen janë ato që “kryqëzohen” më së shumti nga të afërmit apo njerëzit që i rrethojnë. Edhe Eni s’mund t’i shpëtonte kësaj marrëzie kolektive, por sot e ka kuptuar se kush janë “të marrët” në këtë shoqëri shpesh mendjengushtë e paragjykuese.

“Në fillim fare më shumë më ka vrarë opinioni sesa ndarja. Njerëzit e lagjes më shikonin sikur kisha bërë ndonjë krim. Më thoshin-Ti je budallaçkë, si e le burrin, ku do martohesh ti më, kush të mer ty. Mbase e kam gabim, por meshkujt në vendin tonë janë budallenj, se e shohin gruan vetëm për të bërë punët e shtëpisë. Mashkulli shqiptar nuk di ta vlerësojë femrën, por e quan objekt shtëpie. Kështu më thoshte mua ai. Ti je një gjethe për të fshirë by… Është edhe papunësia, mentaliteti, kanë të bëjnë edhe familjet. Edhe të të godasë më tha një herë vjerra nuk ka problem, se edhe mua më ka rrahur burri. Edhe po të tradhëtoi nuk ka problem, se nuk ia ka marrë njeri. Por edhe gruaja ka nevojë për dashuri. Ai as respekt nuk gëzonte më, më tha troç që nuk të dua, rri vetëm për hir të fëmijëve. Ndaj kjo ishte zgjidhja më e mirë”.

“Unë, Gruaja” është një nga organizatat anëtare të AWEN (Rrjeti i Fuqizimit të Gruas) dhe operon në zonën Pogradec-Korçë që prej krijimit të saj në vitin 2003. Përpos ndërhyrjeve të ndryshme edukuese, informuese e advokuese, organizata ofron shërbime psikologjike dhe mbështetje ligjore për rastet e dhunës në familje. Mund të kontaktohet në numrin e telefonit 083222140.