“Mund të më kishin shitur ose rrëmbyer”, 21 vjeçarja rrëfen si ndryshoi jeta e saj në qendrën “Vatra”

“Gjithë rrugës vetëm kam qarë. Isha shumë e frikësuar. Qaja se nuk e dija se çfarë do t’më priste. Polici as nuk e dinte se çfarë ishte “Vatra”.

Kështu e nis Ana sot rrëfimin e saj, mbi 6 vitet e jetës që ka kaluar në qendrën psiko-sociale pas një fëmijërie të zhytur në dhunë, varfëri e braktisje. Ajo ishte vetëm 12 vjeç, kur u detyrua të ndiqte nënën e saj, një grua me probleme të shëndetit mendor, victimë e dhunës së vazhdueshme nga të gjithë partnerët e saj. Ndërkohë babai biologjik ishte një person i alkoolizuar dhe i dhunshëm.

Pas ndarjes me të, nëna e Anës u rimartua me një burrë tjetër por edhe gjatë kësaj martese ato u përballën me dhunën. Si pasojë të dyja shpesh endeshin rrugëve për t’i shpëtuar njerkut abuzues. Pasi vendosën të largohen prej tij, nënë e bijë endeshin rrugëve nga një qytet në tjetrin, shpesh flinin jashtë në hyrjet e pallateve apo ndërtesat e braktisuara.

Ditët e para në qendrën “Vatra” ishin të vështira. Ana ndjente fort braktisjen dhe frikën e asaj që e priste në këtë ambjent të ri. “Mu desh kohë, sa u ambjentova, pastaj pashë një përkujdesje shumë të madhe. Një afrim me taktikë sepse unë vazhdoja të qaja. Punonjëset më afroheshin me shumë takt dhe përpiqeshin si e si të më hiqnin mendjen”- tregon Ana.

Bashkë me nënën, ato lypnin ose mblidhnin mbeturina të cilat i shisnin për të mbijetuar. Duke kërkuar vende për shitjen e kanaçeve, ato ranë në kontakt me një çift të moshuarish që iu blinin mbeturinat e mbledhura. Gjatë kësaj kohe çifti filloi të kujdesej për vajzën, por nëna pothuajse nuk ishte fare prezente (dyshohej që ushtronte prostitucion për të mbijetuar). Ishte policia që gjeti Anën e vogël 13 vjeçare ndërsa dyshohej se çifti i moshuar mund të kishte qëllim shitjen e organeve të vajzës. E ndodhur para rrezikut dhe braktisjes, Ana u referua nga policia dhe Njësia për Mbrojtjen e Fëmijëve pranë Qendrës “Vatra”. Sot 21 vjeçarja flet gjithë nostalgji e dashuri, duke i përshkruar secilën prej punonjëseve që është përkujdesur për të.

“Kam 1 vit e gjysmë që nuk kam shkuar prej pandemisë. Më ka marrë malli për të gjitha, çdo kush aty ka diçka të veçantë. Teta Oli, ishte punonjësja ime personale, njeriu i parë që kam parë kur shkova dhe e fundit kur u largova. Ajo është si një nënë, më falte dashuri. Më përkëdhelte, më puthte si të më kishte vajzën e vet. Dhe kur ika jo vetëm qau por më kishte bërë gati “pajën”, sikur po ikja nuse. Isha pa familje dhe aty gjeta ngrohtësi. Shkoja sa nga një divan tek tjetri dhe më përkëdhelnin të gjitha.”-tregon Ana.

“Entela (Avdylaj) shumë e mirë, të kupton pa folur, të rri afër kur ke nevojë. Edhe teta Neta është flori. Ndërsa Kenën (Brikena Puka, drejtoresha ekzekutive e “Vatra”) e kemi patur si babë, shtyllën e shtëpisë. Se unë jam rritur në atë qendër dhe aty i kisha të gjithë, nënën, babain, motrën siç i ndaja unë punonjëset në mendjen time. Kena ishte si mbrojtje dhe për çdo gjë që kishim si problem, vinte menjëherë dhe i jepte zgjidhje”.

Sot Ana, po vazhdon shkollën e mesme, megjithëse me vonesë. Ajo e pati braktisur shkollën që në moshën 9 vjeç, pa dëshirën e saj dhe u detyrua të lypte dhe të mblidhte kanaçe në koshat e mbeturinave. “U futa në shkollë prapë ndërsa isha te Vatra. Shkoja në eskursione, në ditëlindjet e shoqeve. Ato (punonjëset) nuk donin ta ndjeja që isha ndryshe. “Të mos e ndajme Anën nga shoqet – thoshin dhe i paguanin gjithmonë lekët e eskursioneve apo aktiviteteve të mia”.

Veç shkollës 9 vjeçare, Ana ndoqi edhe disa kurse profesionale. Donte shumë të fillonte punë dhe mezi priti të mbushte 18 vjeç. Ana kaloi periudhën më kritike për formimin e një njeriu pikërisht në qendrën “Vatra” ku mori të gjithë ndihmën e nevojshme: strehim dhe mbrojtje, ndihmë mjekësore, mbështetje psiko-sociale, ndihmë juridike dhe asistencë edukative. Kur e pyes se si do t’i përshkruante ato 6 vite, Ana përgjigjet pa hezitim se i konsideron ndër më të bukurat por edhe ato që ia ndryshuan përgjithmonë jetën.

“Jeta ime do kishte qene keq, nëse nuk do kisha shkuar tek ‘Vatra’. Mund të më kishin shitur diku. Ose do isha viktimë e shfrytëzimit ose mund të më kishin rrëmbyer.

Por të gjitha këto, sot 21 vjeçarja i ka hedhur pas krahëve. Ajo tregon se punonjëset e qendrës e ndihmuan që të rikrijonte gradualisht lidhjet me familjen.

“Të rrish 6 vjet në qendër e të kesh prindërit gjallë, ndihesh keq. Si nuk erdhën e të thonin – do ta mbaj unë. Më vinte inat, e vuaja shumë. Ua kam thënë edhe mamit e babit – si më latë? Si nuk ju ra në mendje për mua? Keni parë jetën tuaj. Por njeriu nuk duhet të shohë pas, vetëm përpara, këtë kam mësuar në qendër. Me inat nuk shtyhet. Sot i takoj shpesh, kemi hedhur pas çdo gjë, i kam falur. Tani kam një jetë normale, në çdo gëzim jam aty. Jam e plotësuar”.

Edhe pas largimit nga “Vatra”, për gati 1 vit e gjysmë, ajo u përkrah ekonomikisht për qeranë e shtëpisë dhe ushqimet. Sot Ana punon dhe jeton krejt e pavarur, ndërsa ëndërron të ketë një familje.

“Unë jam e zonja e vetes. Kur kisha nevojë mu dha një ndihmë e madhe. Dua të kem një familje dhe do t’i ftoj të gjitha punonjëset në dasëm. Nuk kam frikë nga përgjegjësia sepse jam edukuar mirë dhe do të di të edukoj edhe fëmijët e mi. Në qendër kam qënë në një moshë kur krijohet truri i njeriut dhe merr drejtimin e duhur. O gabon në atë moshë, o nuk gabon më. Fati im që kam qenë në qendër dhe me njerëz të arsimuar e të specializuar”.

Qendra Psiko-Sociale “Vatra”, pjesë e AWEN (Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri) është një organizatë jofitimprurëse, e cila prej 21 vitesh ofron shërbime dhe ekspertizë për parandalimin e dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit dhe dhunës në familje e shoqëri. “Vatra” ka si mision edhe përfshirjen sociale të viktimave të këtyre fenomeneve nëpërmjet programeve të informimit, edukimit, advokimit dhe shërbimeve sociale rezidenciale dhe komunitare. Grupet e mbështetura nga kjo organizatë përfshijnë shtresat në nevojë, veçanërisht gratë, vajzat, të rinjtë dhe fëmijët.