“Nuk kisha as zanat e as shkollë. Mezi i fitoja 80 mijë lekë të vjetra kur punoja si pastruese”- më thotë ndërsa i dridhet zëri.
Ela është vetëm 30 vjeçe, por ka pas shpine një kalvar të gjatë vuajtjesh e në të njëjtën kohë përvojë njerëzore. E martuar shumë e re, pasi prindërit nuk e lejuan të vazhdonte shkollën, ajo u përball me një bashkëshort që jo vetëm nuk kujdesej për familjen por ushtronte edhe dhunë ndaj saj.
“Unë nuk dija të bëja asgjë, se mentaliteti i asaj kohe dhe prindërit nuk donin shkollë. Më martuan shumë të vogël. Durova si durova 7 vite dhunë, pastaj nuk munda më”.
Ela u nda nga i shoqi kur fëmijët ishin të vegjël, djali 4 vjeç ndërsa vajza vetëm 9 muajshe. Me shumë mund arrinte të siguronte ndonjë rrogë sa për mbijetesë duke punuar si pastruese. E kjo situatë vijoi për disa vite deri sa një projekt i shoqatës “Floemi” i dha mundësinë të ndiqte një kurs disa mujor rrobaqepësie. Pas përfundimit të kursit, Ela arriti të sigurojë një vend pune në një firmë që prodhon veshje në qytet.
“Mungesa e një profesioni dhe një vendi pune të sigurtë është arsyeja kryesore që pengon gratë të ndalojnë dhunën brenda familjes. Ato e ndjejnë veten të pafuqishme pa një vend pune që të mund të perballojnë jetesën”- thotë Jorgji Çuro, drejtues i organizatës “Floemi”.
Sot Ela fiton një pagë shumë më të mirë ndërsa pret të sigurojë bonusin e qerasë nga bashkia e Përmetit, çka do t’i mundësonte asaj një jetë më të denjë për dy fëmijët e saj me të cilët jeton në një godinë konvikti.
“Nuk dua asgjë tjetër, veç të rris ata fëmijë. Në kurs mësova shumë gjëra, e të paktën sot e kam një punë, se dikur nuk dija asgjë.
“Floemi”, një organizatë e krijuar në vitin 2019, arriti të sigurojë një financim të vogël nga AWEN (Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri) për të mbështetur disa prej grave me probleme sociale në zonat rurale të Bashkisë së Përmetit. Ashtu si Ela, edhe gra të tjera gjithashtu të divorcuara e me fëmijë u ndihmuan të kryejnë një kurs rrobaqepësie.
“Përveç Elës që është e divorcuar ne kishim edhe dy gra të tjera që kanë nga një fëmijë secila me probleme të rënda shëndetësore, ndaj kanë nevojë për kujdesin e vazhdueshëm të nënës. Kështu që, pas përfundimit të kursit të rrobaqepësisë, këtyre nënave ju dhuruam nga një makinë qepëse në mënyrë që të mund të punojnë nga shtëpia dhe të sigurojnë të ardhura”- thotë Çuro.
Organizata “Floemi” ka në fokus ndihmën dhe asistencën ndaj grupeve vulnerabël si nënat kryefamiljare, jetimët, fëmijët e braktisur apo ata që shfrytëzohen për të lypur.