Shkodër, 4 burra “në luftë” kundër dhunës dhe mentalitetit patriarkal

Kur Gjoni hyri në derën e Zyrës për Djem dhe Burra (ZDB), nuk arrija t’i besoja syve. I gjatë, i bukur dhe jo më shumë se 25 vjeç, ky djalë/burrë është tashmë i divorcuar me një fëmijë dhe mbi të gjitha me damkën e një dhunuesi. Ndërsa psikologu Endrit Uligaj, koordinator i kësaj zyre, (pjesë e organizatës “Gruaja tek gruaja”) më tregonte historinë, i thashë se doja ta njihja nga afër dhe të flisja me Gjonin. Moshatarët e tij në Tiranë, jo vetëm që nuk mendojnë të krijojnë familje por duan akoma tu bëjë shërbim mami. E megjithatë konteksti është përcaktues dhe Gjoni vjen nga rrethinat e largëta të Shkodrës ku mentaliteti nuk mund të lejojë 2 të rinj të rrijnë për shumë kohë të dashuruar pa presionin e familjeve. “U njohëm në gjimnaz e pas 7-8 muajsh u fejuam e martuam. Ne thjesht donim të rrinim bashkë, kjo ishte e vetmja mënyrë”-më thotë duke ulur sytë. E ka të pamundur të më shohë ndërsa tregon historinë e jetës së tij. Shumë shpejt e dashura, iu bë grua dhe menjëherë nëna e fëmijës së tyre. Por Gjoni, tani e pranon se 7-8 muaj nuk mjaftojnë për të njohur dikë e për të vendosur nëse është njeriu i duhur për të kaluar jetën.

Çifti pati mosmarrëveshje që në fillimet e tyre dhe thuajse çdo diskutim kthehej në debat. Shkaku kryesor, siç tregon vetë Gjoni, ishte dëshira e gruas së tij të re që të iknin nga ajo shtëpi e të krijonin një të ardhme vetëm ata të 3 (bashkë me djalin). Por Gjoni këtë nuk mund ta toleronte, jo vetëm se është djalë i vetëm, e s’mundet kurrësesi të lërë nënën e babain, por mbi të gjitha sepse ai është “Burrë”. “Ne kështu jemi rrit, burri vjen i pari, duhet me ju dëgju fjala”.

Shumë shpejt debatet nisën të degradojnë në dhunë dhe pas disa episodeve, e shoqja vendosi të mos durojë më dhe të largohet nga shtëpia. Ishte pikërisht ky momenti kur Gjoni e humbi toruan sepse “Ajo”, gruaja, kishte guxuar ta kundërshtonte fjalën e tij e mbi të gjitha, ta braktiste. Gjithë zemërim, ai shkoi te shtëpia e prindërve të gruas dhe tentoi të marrë mbrapsht “atë që i takonte”. Por ajo refuzoi dhe Gjoni kapërceu çdo limit duke ushtruar dhunë si asnjëherë më parë.
“Isha ba si me fiksime, sikur të gjithë më shihnin mu. Isha i mbushur me mllef”. Sot më vjen turp. Si e çova veten deri aty”.

Vetëm sot, pasi kanë kaluar gati 2 vjet, ai ka gjetur forcën jo thjesht për të treguar për dhunën dhe vuajtjen që i shkaktoi ish-bashkëshortes por mbi të gjitha për të reflektuar mbi përgjegjësinë e tij. Por për këtë janë dashur muaj të tërë pune nga psikologu i tij, Fatjon Taipi i cili është pjesë e Zyrës për Djem dhe Burra, shërbim ky që ofrohet nga shoqata “Gruaja te Gruaja” që prej vitit 2014 në Shkodër.

“4-5 seancat e para kemi folur për gjithçka, vetëm për dhunën s’kemi folur. Ai e dinte shumë mirë se për çfarë kishte ardhur, edhe unë e dija por ishte shumë rezistent. Momenti që filloi të hapej ishte kur filloi të flasë për djalin e tij. Mohonte gjithçka në fillim dhe e pati te vështirë që ta pranonte deri në fund.”- thotë Fatjoni.

Ai është i kënaqur me ecurinë e Gjonit pas 12 seancave që ka realizuar dhe beson fort se nuk do të ushtrojë më dhunë nëse nesër do të krijojë një marrëdhënie të re. Por s’mund ta thotë me siguri të plotë, sepse Gjoni është produkt i dhunës dhe një sjellje të mësuar nga sistemi patriarkal ku është rritur.
“Ka patur dhe shumë dhunë madje në familjen e tij edhe pse ai e kishte të vështirë ta pranonte. Edhe nana kur merrej me bashkëshorten e tij i thoshte: Hë se dhe mua më ka rrahur burri por tani nuk më rreh më. Për t’ja bërë sa më normale situatën. Bazuar në progresin që ka arrit, besoj që s’ka me ushtru dhunë nëse krijon një marrëdhënie tjetër por nuk jam 100 % i sigurt.”-thotë Fatjoni. Dhuna si pjesë “normale” e jetës Por Gjoni është vetëm një nga qindra në të gjithë qarkun Shkodër që kjo zyrë e vogël në qytet përpiqet ta rehabilitojë. Janë pikërisht burra si Fatjoni, Endriti e 2 djem të tjerë që japin këtu çdo ditë jo thjesht ndihmë psikologjike por një copëz nga jeta e tyre për t’i ndihmuar këta dhunues të heqin dorë nga të ushtruarit e dhunës, që fatkqësisht është një fenomen i pranuar nga shoqëria.
“Shumë prej dhunuesve e shohin respektin apo barazinë gjinore si humbje të burrnisë. Nëse gruaja është e lodhur dhe po gatuan, nëse ti shkon ta ndihmosh po humbet prej burrnisë. Në momentin që ushtron dhunë, sipas tij, ka vendosur një ekuilibër, një qetësi dhe bën atë që don. Pavarësisht se është ekuilibër i imponuar. Është aq e përhapur dhuna saqë edhe një profesoreshë me tituj shkencorë e pranon dhunën. Pra kaq i thellë është ky fenomen saqë ato raste që raportohen janë ato kur dhuna ka qënë aq ekstreme saqë është dasht me ba diçka për me shpëtu jetën e viktimës”-thotë Fatjoni.
E megjithatë raportimet e dhunës janë rritur. Vetëm vitin e kaluar janë dhënë mbi 300 urdhër mbrojtje të lëshuar nga gjykata e rrethit Shkodër dhe vetë Uligaj, thotë se numri sa vjen dhe rritet. Por, ka shumë më shumë raste që nuk raportohen, pikërisht nga fakti se për një pjesë të shoqërisë, një burrë që ushtron dhunë është thuajse normalitet.

“Cilët janë modelet me të cilat janë rritur dhe jetojnë? Atyre nuk u shkon ndër mend që ka alternativa të tjera për të krijuar një marrëdhënie përveç dhunës. Sepse rolet gjinore janë të ndarë në mënyrë kaq të fortë. Këto pritshmëri ka burri prej gruas dhe kur nuk i merr ato pritshmëri, atëherë do të vendosë rregullin në vend dhe e bën këtë në mënyrën më të shkurtër dhe që e ka parë se jep rezultat, nga babai tek nëna, komshiu apo të tjerë. Edhe opinioni e ka miratuar në përgjithësi nënshtrimin e gruas”-vijon Endriti, koordinatori i ZDB-së.

Sipas tij, vetëm nëse gruaja kërkon ndihmë dhe tregon që po përjeton dhunë atëherë mund të thyhet cikli i qetësisë dhe fillon kalvari polici-gjykata, çka e bën dhunuesin të ndalojë.
Konviktet e djemve, “ishuj” të dhunuesve të ardhshëm
Por për Endritin, Fatjonin e 2 djemtë e tjerë që punojnë në “Zyrën për Djem e Burra” rreziku më i madh që i vjen shoqërisë është nga rrethi vicioz i dhunës, vazhdimësia brez pas brezi. Dhe këtë ata e shohin thuajse çdo ditë në punën e tyre me të rinjtë ku niveli i dhunës është mjaft i lartë.
“Që vjet kemi nisur një formë të re këshillimi me djemtë e rinj për të menaxhuar agresivitetin. Rasti i Gjonit ishte ndryshe se është i ri por kemi klientë që janë në moshë të thyer dhe e kanë të vështirë që të ndryshojnë. Ndaj interesi jonë është që të punojmë me të rinjtë, burrat dhe prindërit e ardhshëm por që kanë sjellje agresive me njëri tjetrin me shokët apo të dashurat.”

Pas pyetësorëve dhe intervistave individuale, djemtë e ZDB-së diskutojnë me këta të rinj për për tema të caktuara ku mbi sjelljen, emocionet dhe mënyrën e menaxhimit të agresivitetit.
“Shohim që ka shumë nevojë sepse sidomos në ambjente ku djemtë vijnë nga zona të ndryshme, janë të detyruar të rrinë bashkë krijohen përplasje. Janë ambjente ku haset tendenca për sjellje të dhunshme. Por ka probleme edhe me drogën, vjedhjet apo edhe shkelje të tjera, pra kriminalitet”-shpjegon Endriti.

Në Shkodër ka 4 konvikte me djem të shkollave profesionale dhe fetare. Aty gjen djem nga zona të ndryshme të vendit, me kultura e mendësi të ndryshme që u duhet të bashkëjetojnë me njëri tjetrin. Është pikërisht aty ku “formohet” karakteri i disa prej dhunuesve të ardhshëm dhe nevojitet ndërhyrja e psikologëve.
“Niveli i dhunës është shumë i lartë. Është dëshpërues fakti që kur bëhet fjalë për dhunën në familje, që ka shkaktuar babai tek nëna nuk e pranojnë dhe nuk duan të flasin, por mënyra dhe sensi i mbrojtjes që kanë ndaj partneres që kalon deri në posesivitet, është e frikshme kur e mendon në këtë mënyrë një 16-17 vjeç, pra që partnerja e tij nuk ka pse me dalë me shokë, “I kam vendosur kufinj kështuqë mund të bëhem i dhunshëm nëse ajo shkel kufinjtë”. Pra e mendojnë edhe e veprojnë. Kemi pas raste të djemve të rinj që thoshin -pse me hap e dashura Instagram, zihen e arrijnë në dhunë verbale dhe emocionale edhe për një foto, apo për një shëtitje”-shpjegon Fatjoni.

Sipas tij, ajo çka është më e frikshme është nuk bëhet fjalë për raste të izoluara çka duhet të na alarmojë të gjithëve por më së shumti institucionet.

“Tek konviktet është tregues dominant kryesisht. Pothuajse të gjithë djemtë e kanë këtë mendësi. E para sepse shumica e atyre që jetojnë në konvikte janë prej zonave të thella. E dyta është se janë duke krijuar burrninë e tyre dhe shfaqen protektivë e të sigurt, mendojnë se kjo i bën të duken më burra dhe kështu i pëlqejnë më shumë vajzat. Pastaj të mos harrojmë që flasim një moshë të re e të pa formuar siç duhet”.

Pavarësisht tablosë gri, puna e Zyrës për Djem dhe Burra ka rezultuar mjaft e suksesshme në këto 6 vjet. Ndaj nga 2 zyra të tilla (bashkë me Linjën e Këshillimit për Burra dhe Djem në Tiranë, e para në Shqipëri) që kanë funksionuar deri më tani, brenda këtij viti pritet të nisin punën dhe 3 të tjera, në Vlorë, Elbasan dhe Pogradec.
Për AWEN/ Erjona Rusi