Unë, Gruaja, Pogradec
“Unë, Gruaja” është një organizatë jofitimprurëse e regjistruar në Gjykatën e Tiranës më 31 korrik 2003, nr 748, e cila ushtron aktivitetin e saj në interes të publikut dhe në përputhje me Ligjin për Organizatat Jofitimprurëse.
Misioni i organizatës është të fuqizojë, edukojë dhe integrojë gruan dhe të rinjtë në jetën sociale, kulturore dhe politike si dhe të krijojë shanse të barabarta për ata në rajonin Pogradec-Korçë.
UG ka shërbyer si qendër këshillimi për gra e vajza të abuzuara; numri i telefonit (08322) 2140 është gjerësisht i njohur në komunitet.
Kryesisht në 13 vitet e fundit, projektet e realizuara kanë synuar fuqizimin e gruas, Barazinë gjinore, reduktimin e Dhunës në Familje dhe mbështetjen e viktimave të kësaj dhune. Aktualisht shoqata ofron këshillim emocional, psikologjik dhe ligjor.
Shoqata “Unë, Gruaja” prej vitit 2010 është pjesë e mekanizmit të referimit dhe trajtimit të rasteve të dhunës në familje dhe ka luajtur rol thelbësor në funksionimin e këtij mekanizmi, nëpërmjet nismave advokuese dhe lobuese. Fuqizimi i ndërveprimit me institucionet lokale dhe përmirësimi i përgjigjes së koordinuar mbeten ende ndër prioritetet kryesore, ndërsa puna me gratë në zonat rurale është sfida e radhës, në kuadër të ndarjes së re territoriale.
Shoqata “Unë, Gruaja” është pjesë e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas (AWEN) që nga themelimi i tij. UG njeh, vlerëson fuqinë e rrjetit dhe është pjesë aktive e iniciativave të përbashkëta në nivel lokal dhe kombëtar.
Unë, Gruaja është e para organizatë në Pogradec që promovoi vlerat e demokracisë në nivel lokal. Ajo është protagoniste e një sërë iniciativave për të informuar dhe sensibilizuar komunitetin për rëndësinë e pjesëmarrjen qytetare, për rolin e këshillit bashkiak dhe ndikimi i tyre në cilësinë e jetës kur ata marrin vendime për investimet, politikat sociale etj.
UG ka promovuar aktivizmin e të rinjve në jetën publike, lidershipin e të rinjve dhe i ka inkurajuar ata të bëjnë punë vullnetare duke kthyer vullnetin dhe dëshirat e tyre në vlera komunitare. Gjatë gjithë rrugës dhe angazhimeve të saj organizata ka pasur mbështetjen e komunitetit. Komuniteti i Pogradecit ka qenë dëshmitar i shkallës së lartë të motivimit, përkushtimit, profesionalizmit dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara nga UG për komunitetin në përgjithësi dhe për gratë e vajzat në veçanti.