Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Grave

AWEN ishte pjesë e protestës së organizuar më 8 mars në Ditën Ndërkombëtare e të Drejtave të Grave kundër padrejtësive e pabarazive shoqërore.

Deklarata e plotë:

Sot, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Grave që shenjon rezistencën historike të grave për liri dhe të drejta, na bën bashkë edhe në 2023 kundër padrejtësive e pabarazive shoqërore. Të drejtat që i kemi sot janë fituar falë përpjekjes feministe dhe qëndresës së grave që luftuan që ne të gëzojmë një jetë më të mirë sot. Por ende sot ne grave nga kërcënohet e drejta për jetën.

Ne gratë e papërfaqësuara të Shqipërisë, e kemi çdo ditë kryengritje ndaj dhunës. Gratë e Beratit, Dibrës, Durrësit, Elbasanit, Fierit, Gjirokastrës, Gramshit, Kavajës, Kamzës, Këlcyrës, Korçës, Krujës, Kuçovës, Kukësit, Laçit, Lezhës, Libohovës, Lushnjës, Malësisë së Madhe, Mallakastrës, Matit, Memaliajt, Përmetit, Peqinit, Pogradecit, Pukës, Sarandës, Shkodrës, Skraparit, Tepelenës, Tiranës, Tropojës dhe Vlorës - rezistojnë dhe vazhdojnë përditë ngrenë krye e trup ndaj dhunës nga kuzhina e deri në dhomën e gjumit, nëpër rrugë, shkollë, punë, nga shtëpia e babës e deri në derën e burrit.

Nga viti i kaluar deri këtë 8-Mars na kanë vrarë e nuk i kemi më në mesin tonë Fatmira Bamin, Merushe Hazizin, Bukurie Bamin, Fatime Sulin, Mynevere Karabollaj, Kristjana Brakaj, Vitore Pacukun, Valdete Manaj, Jetlira Eleizin, dhe lotët ende nuk na janë tharë nga vrasja e Mevlute Hysës, Hasime Dafkut dhe Etleva Kurtit. Po na i marrin të dashurat tona edhe pse vrasjet e tyre janë të paralajmëruara për shtetin, policinë e gjykatat.

Jemi lodhur së jetuari në një shoqëri ku vajzat tona nuk janë të sigurta, ku femicidi është përhapur si gangrenë që na rrezikon kudo dhe ku sistemi ligjor ka dështuar të na mbrojë. Jemi të lodhura prej jetës së padukshme, mosnjohjes së kontributit shoqëror dhe përpjekjeve për të na e heshtuar zemëratën, emrin, punën dhe jetën.

Prandaj sot, ne qëndrojmë në solidaritet duke kthyer sytë nga vetja, ekzistenca e të cilave e mban shtëpinë e shtetin në këmbë, dhe shoqërinë në lëvizje. Sot, në këtë 8- Mars e bërtasim zemëratën tonë në rrugë dhe përballë çdo strukture shtetërore për të ndërmarrë veprime konkrete për mbrojtjen, sigurinë dhe zhvillimin e grave në Shqipëri.

Ne kërkojmë prej strukturave shtetërore:

-Drejtësi për gratë e vrara – Rishikim të drejtësisë penale për viktimat e dhunës. T’i japim fund njëherë e mirë kulturës së mosndëshkimit të krimeve me bazë gjinore.

- Femicidi të trajtohet si urgjencë kombëtare: Funksionim të shtetit ligjor dhe dënim maksimal për dhunuesit dhe vrasësit e grave.

-Kërkojmë forcimin e shërbimeve mbështetëse për të mbijetuarat e dhunës: Më shumë strehimore shtetërore, linja telefonike falas për raportim, shërbime këshillimi dhe ligjore falas.

-Kërkojmë që shteti të promovojë barazinë gjinore dhe edukimin feminist në lëndë të posaçme të kurrikulave shkollore për të parandaluar dhunën dhe ndërgjegjësuar fëmijët, për të zhbërë stereotipet dhe dhunën gjinore.

- Monitorim i respektimit i të të drejtave dhe kushteve të punës, qasje në mundësi të barabarta dhe paga dinjitoze për gratë.

-Monitorim dhe artikulim në Kodin Penal të gjuhës së urrejtjes dhe seksizmit në media e hapësira të tjera të ushtrimit të tyre.

Ne nuk mund të vazhdojmë të jetojmë në një shoqëri ku kërkojmë të drejtën bazike të jetës. I duam të gjitha gratë e gjalla, të lulëzuara dhe në liri të plotë të ndjekin ëndrrat e tyre në një jetë të jetuar me dinjitet!

KOLEKTIVI FEMINIST

8-MARS 2023

Mbrojtja e viktimave penale

AWEN gjatë 6 muajve të fundit është duke realizuar mbrojtjen e 19 viktimave të veprave penale në Gjykatat e rretheve gjyqësore. Të gjitha rastet kanë përjetuar krime të dhunës me bazë gjinore kundër tyre dhe familjareve/ëve të tyre.