Rrjeti AWEN

Rrjeti i Fuqizimi të Gruas në Shqipëri përbëhet nga 10 në të gjithë territorin e Shqipërisë:

Shoqata “Gruaja, Paqja dhe Siguria” është një organizatë jo-fitimprurëse, e themeluar në vitin 1999, e cila operon në Qarkun e Durrësit. Ajo ka si qëllim promovimin e barazisë gjinore në shoqëri si dhe mbrojtjen e të drejtave të grupeve të margjinalizuara të grave në këtë Qark. Dhuna në familje, barazia gjinore, pjesëmarrja aktive e gruas në vendim-marrje, si dhe integrimi i komuniteteve të zonave informale në jetën social-kulturore të qytetit janë çështjet kryesore në fokus të punës së kësaj organizate.

Për më shumë se dy dekada, Shoqata “Gruaja, Paqja dhe Siguria” ka ofruar një gamë të gjërë shërbimesh për grupet vulnerabël të grave të këtij Qarku, shërbime të cilat kanë konsistuar në: shërbime psiko-sociale, shërbime ligjore, shërbime mjekësore si dhe në informim dhe ndërgjegjësim. Ndërmarrja e iniciativave konkrete për lobime dhe advokime në lidhje me zhvillimin e komunitetit në përgjithësi dhe fuqizimin e statusit të gruas në shoqëri në veçanti, kanë qënë gjithashtu fusha të rëndësishme ku ShGPS ka vepruar dhe vazhdon të veprojë fuqishëm.

VIZIONI: INTEGRIM, ZHVILLIM DHE PAQE

MISIONI:

– Mbrojtja e të drejtave të grave si pjesë e të drejtave të njeriut;

– Rritja e imazhit publik të gruas si dhe prezencës së saj në jetën politike dhe publike;

– Zhvillimi i alternativave dhe mundësive, të cilat synojnë forcimin e pozicionit të gruas në shoqëri.

HISTORIKU I SHGPS

SHGPS u krijua në periudhën e krizës së Kosovës (viti 1998), në kohën kur një numër i madh i popullsisë së Kosovës u shpërngul drejt Shqipërisë me qëllim gjetjen e një mbështetje për situatën e tyre emergjente. Një grup grash të qytetit të Durrësit (themelueset) të interesuara për të ndihmuar të ardhurit nga Kosova, u mblodhën së bashku me idenë për të ofruar asistencë sociale grave kosovare, të cilat kishin përjetuar trauma si dhe për të lehtësuar efektet e çrregullimeve të stresit post-traumatik.

Eksperienca tregoi që të njëjtat problematika sociale të evidentuara për gratë nga Kosova ishin prezente dhe për realitetin tonë për gratë e qytetit të Durrësit, të cilat vuanin nga një sërë problemesh sociale. Të ndodhura përballë këtij fakti, me përfundimin e krizës kosovare, themelueset vendosën të vazhdonin punën e tyre, duke themeluar një organizatë e cila do të adresonte nevojat e grave me probleme sociale të qytetit të Durrësit. Kështu, në shkurt të vitit 2000, u bë regjistrimi i organizatës “Gruaja, Paqja dhe Siguria”, si një organizatë jo-qeveritare, jo-politike dhe jo-fitimprurëse në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor të Durrësit.

Në vitin 2004, Shoqata “Gruaja, Paqja dhe Siguria” u pajis me Liçencën shtetërore për ofrimin e shërbimeve sociale ndaj grupeve vulnerabël të grave. Liçensa është rinovuar periodikisht sipas planeve kohore të Departamentit të Politikave Sociale në MShMS.

Web: https://www.siguria-paqja.al/?q=sq 

 

“Unë, Gruaja” është një organizatë jofitimprurëse e regjistruar në Gjykatën e Tiranës më 31 korrik 2003, nr 748, e cila ushtron aktivitetin e saj në interes të publikut dhe në përputhje me Ligjin për Organizatat Jofitimprurëse. Misioni i organizatës është të fuqizojë, edukojë dhe integrojë gruan dhe të rinjtë në jetën sociale, kulturore dhe politike si dhe të krijojë shanse të barabarta për ata në rajonin Pogradec-Korçë. UG ka shërbyer si qendër këshillimi për gra e vajza të abuzuara; numri i telefonit (08322) 2140 është gjerësisht i njohur në komunitet.

Kryesisht në vitet e fundit, projektet e realizuara kanë synuar fuqizimin e gruas, barazinë gjinore, reduktimin e dhunës me bazë gjinore dhe mbështetjen e viktimave të kësaj dhune. Aktualisht shoqata ofron këshillim emocional, psikologjik dhe ligjor. Shoqata “Unë, Gruaja” prej vitit 2010 është pjesë e mekanizmit të referimit dhe trajtimit të rasteve të dhunës në familje dhe ka luajtur rol thelbësor në funksionimin e këtij mekanizmi, nëpërmjet nismave advokuese dhe lobuese. Fuqizimi i ndërveprimit me institucionet lokale dhe përmirësimi i përgjigjes së koordinuar mbeten ende ndër prioritetet kryesore, ndërsa puna me gratë në zonat rurale është sfida e radhës, në kuadër të ndarjes së re territoriale.

Shoqata “Unë, Gruaja” është pjesë e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas (AWEN) që nga themelimi i tij. UG njeh, vlerëson fuqinë e rrjetit dhe është pjesë aktive e iniciativave të përbashkëta në nivel lokal dhe kombëtar. Unë, Gruaja është e para organizatë në Pogradec që promovoi vlerat e demokracisë në nivel lokal. Ajo është protagoniste e një sërë iniciativave për të informuar dhe sensibilizuar komunitetin për rëndësinë e pjesëmarrjen qytetare, për rolin e këshillit bashkiak dhe ndikimi i tyre në cilësinë e jetës kur ata marrin vendime për investimet, politikat sociale etj.

UG ka promovuar aktivizmin e të rinjve në jetën publike, lidershipin e të rinjve dhe i ka inkurajuar ata të bëjnë punë vullnetare duke kthyer vullnetin dhe dëshirat e tyre në vlera komunitare. Gjatë gjithë rrugës dhe angazhimeve të saj organizata ka pasur mbështetjen e komunitetit. Komuniteti i Pogradecit ka qenë dëshmitar i shkallës së lartë të motivimit, përkushtimit, profesionalizmit dhe cilësisë së shërbimeve të ofruara nga UG për komunitetin në përgjithësi dhe për gratë e vajzat në veçanti.

Web: https://unegruaja.org.al/ 

 

 

Agritra-Vizion është një organizatë lokale, e cila operon në rajonin e Dibrës që në shkurt të vitit 1998. Aktiviteti i saj filloi si një projekt i SNV (si projekt Agritra). Qëllimi i projektit ka qenë forcimi i pozitës sociale dhe ekonomike të grave në rrethin e Dibrës. Projekti ka patur në fokus të punës së tij gratë dhe vajzat por pjesëmarrja e burrave ishte një risi e cila u mirëprit. Për katër vjet (deri 2001), aktiviteti kryesor i organizatës ka qenë trajnimi i grave në fshatrat e rrethit me qëllim, rritjen e njohurive në menaxhimin e bagëtisë dhe kultivimin e perimeve. Projekti i ka mbështetur gratë që të organizohen në grupe jo-informale komunitare dhe te ngrenë zërin për probleme të ndryshme me të cilat ballafaqohen në familje dhe komunitet.

Në kuadër të këtij projekti gjatë kësaj periudhe, kemi patur mbështetjen e SNV-së për ngritjen e kapaciteteve të stafit si një element kyç që do të ndikonte pozitivisht në vazhdimësinë e punës së projektit. Në fund të projektit, duke u bazuar edhe në rezultatet pozitive që kishte dhe aktivitetet e vazhdueshme nga stafi i projektit, ky projekt u regjistrua si një organizatë lokale, që do të operonte në bazë të ligjit shqiptar me të njëjtin emër. Me kalimin e kohës organizata i zgjeroi shërbimet e saj në ndihmë të grave, në përputhje dhe në përgjigje të nevojave të tyre. Edhe pse në kohë fokusi i shërbimeve të ofruara ndaj grave dhe komuniteteve është rritur, vizioni i organizatës në parim ka mbetur i njëjtë. Që nga Shtatori i vitit 2003, organizata operon me emrin e saj si Agritra-Vizion.

Vizioni: Fuqizimi i grave për zhvillimin e shoqërisë.

Misioni:

Partneriteti i gjerë dhe i vërtetë me komunitetet dhe përfituesit, është një nga sukseset e arritura në nivel lokal dhe rajonal. Puna me grupe në komunitet ka qenë dhe mbetet një nga arsyet kryesore për suksesin e punës së organizatës. E ndërtuar në këtë mënyrë, ka shërbyer si model për pjesëmarrjen e këtyre grupeve dhe komuniteteve, në projektet dhe proçeset për ndryshime pozitive të komunitetit.

Ngritja e zërit për çështje të grave, problemet në familje dhe çështjet e komunitetit. Ngritja e kapaciteteve të grave për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe mundësia për të promovuar këto të drejta, duke paraqitur kontributin e tyre ne nivel lokal dhe kombëtar.

Rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme janë një tjetër vlerë e punës së Agritra-Vizion. Kjo është arritur nëpërmjet vlerësimeve të nevojave si dhe duke punuar për ide të reja bazuar në nevojat lokale. Besimi i krijuar mes stafit të organizatës, grupeve të grave si dhe komuniteteve është një nga elementet më të vlefshëm të suksesit në punën e Agritra-Vizion. Krijimi i grupeve të forta, të qëndrueshme dhe aktive të grave është një tjetër sukses i punës. Tashmë këto grupe grash janë kthyer në një partner të rëndësishëm lokal, të cilat ofrojnë kontributin e tyre për të përmirësuar jo vetëm aksesin e tyre, por edhe familjen dhe jetën e komunitetit.

Agritra-Vizion është një organizatë me kapacitete dhe aftësi jo vetëm për të adresuar çështjet e grave, por edhe të mbështesë komunitetin duke e orientuar saktë për nevojat dhe në përmirësimin e situatës së tyre. Të forcojë pozitën social-ekonomike të grave rurale në rrethin e Dibrës përmes asistencës teknike në bujqësi dhe blegtorinë e qumështit, në organizimin e grupeve të prodhuesve, në barazinë gjinore si dhe organizimin e vetë e grave për probleme të familjes dhe të komunitetit.

Gjatë punës së saj, organizata ka bashkëpunuar me shumë grupe gra dhe vajza, me anëtarë të komunitetit nga 11 njësitë administrative në Qarkun e Dibrës. Ajo ka krijuar një bashkëpunim të dobishëm dhe shumë efikas në partneritet me strukturat lokale dhe rajonale, si një strukturë e shoqërisë civile me një kontribut të rëndësishëm në nivel rajonal. Agritra-Vizion bashkëpunon ngushtë me komunitetin e Qarkut Dibër.

 

 

Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim është një organizatë jo-fitimprurëse, e themeluar në vitin 1995. Ne punojmë për barazinë midis grave dhe burrave në Shqipëri. Ne e arrijmë këtë qëllim nëpërmjet advokacisë, lobimit dhe trajnimeve. Nëpërmjet advokacisë dhe lobimit në synojmë të përmirësojmë barazinë gjinore në vendim-marrje dhe të parandalojmë diskriminimin ndaj grave. Nëpërmjet trajnimeve në shpërndajmë dijet tona mbi përkatësinë gjinore dhe fuqizimin e grave.

Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) është e liçencuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Shqipëri, si një qendër burimore mbi barazinë gjinore. Si një qendër burimore vazhdimisht na kërkohet të rishikojmë dhe komentojmë mbi ligjet dhe politikat lidhur me Ministrinë.

 

Ne jemi një organizatë me eksperiencë; ne kemi punuar për mbi 20 vite. Gjatë kësaj kohe ne kemi zbatuar në mënyrë të suksesshme më shumë se 70 projekte. Çdo projekt që ne organizojmë monitorohet dhe vlerësohet duke përdorur indikatorë specifikë. Kjo siguron që projektet tona janë ndërmarrë bazuar në standardet më të larta profesionale. Kjo gjithashtu ndihmon që puna jonë e vazhdueshme të jetë e matshme. Janë realizuar shumë aktivitete nëpërmjet zbatimit të shumë projekteve gjatë viteve dhe disa prej tyre janë listuar më poshtë:

Në punojmë kryesisht në fushat e integrimit të përkatësisë gjinore, Integrimin Evropian, fuqizimin ekonomik, qeverisjen në bazë të gjinisë, dhunën ndaj grave, arsimimin dhe median. Eksperienca e fituar nga puna jonë na ka ndihmuar të përmirësojmë organizatën tonë dhe të gjejmë mënyra dhe metodologji që funksionojnë dhe prodhojnë rezultate të vërteta për gratë në Shqipëri. Përgjatë viteve ne kemi ndërmarrë trajnime mbi përkatësinë gjinore në shumë nivele të ndryshme. Ne kemi organizuar trajnime në fusha që përfshijnë nga qeverisja deri të arsimimi, prej buxhetimit deri në fuqizimin e grave të reja.

 

HISTORIKU DHE MISIONI

Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim (GADC) (ish-Qendra e Gruas) është themeluar në vitin 1994 nga shoqata Refleksione, financuar nga Fondacioni “Shoqëria e hapur për Shqipërinë”-Programi i Gruas. Në qershor 1995 me vendim të Gjykatës së rrethit Tiranë, është regjistruar zyrtarisht bazuar në nenin 55 të ligjit 7850 më datë. 28.07.1994 sipas Kodit Civil të Republikës së Shqipërisë. Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim është ri-regjistruar më dt. 4 Mars 2002 bazuar në Ligjin e ri për Organizatat Jo-fitimprurëse në Shqipëri. Ajo synon krijimin e mundësive të barabarta midis gjinive nëpërmjet: informimit, studimeve, advokacisë, lobimit dhe trajnimeve, të trajtuara këto nën perspektivën gjinore.

 

Misioni i GADC realizohet përmes:

– Vlerësimit të nevojave dhe zhvillimin me pjesëmarrje të projektit;

– Rritje të ndërgjegjësimit të grupeve të ndryshme rreth çështjeve gjinore, duke u ofruar atyre një perspektivë të re; për të adresuar problemet me të cilat përballen gratë shqiptare, në zona të ndryshme, si; varfëria, pjesëmarrja e ulët në vendimmarrje, dhuna në familje, trafikimi, aksesi i ulët ndaj informacionit, etj.

– Kontribuimit në draftimin e politikave sociale lidhur me çështjet e përkatësisë gjinore në Shqipëri;

– Mbledhjes, përpunimit dhe shpërndarjes së informacionit lidhur me çështjet sociale, nën këndvështrimin e përkatësisë gjinore;

– Konsolidimit të një rrjeti bashkëpunëtorësh, përfaqësues të OJF-ve të ndryshme, në nivel lokal, rajonal dhe ndërkombëtar;

– Ofrimit të asistencës, trajnimeve dhe ngritjes së kapaciteteve për gratë, përfaqësuese të organizatave joqeveritare.

 

EKSPERTIZA

Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim është e mirënjohur në Shqipëri dhe në Rajon, kjo falë një numri eventesh të zbatuar gjatë viteve, përfshi, analizë, monitorim, dhe vlerësim të politikave dhe strategjive; programe trajnimi; ekzistenca e një ekipi trajnerësh në nivel kombëtar; organizim konferencash në nivel rajonal, gjithashtu dhe botime në fushën e Barazisë Gjinore dhe Zhvillimit. Puna e stafit të Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim është e bazuar në një metodologji specifike, e cila bën rezultatet e punës tonë vazhdimisht të matshme. Çdo projekt është i monitoruar dhe vlerësuar në bazë të indikatorëve/treguesve specifikë. Kështu, aktivitetet/puna është realizuar me standartet më të larta dhe profesionale të mundshme. Nëpërmjet punës së tij, stafi synon të arrijë efektivitet dhe eficencë, duke përdorur një metodologji që arrin nevojat dhe interest e përfituesve, dhe që çon në ndërhyrje profesionale.

 

Duke marrë parasysh që Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim ka rritur kapacitetet, veçanërisht ato lidhur me burimet njerëzore, një nga rezultatet ka qenë asistenca e vazhdueshme për organizatat dhe institucionet në Shqipëri. Një sërë organizatash, veçanërisht ato që punojnë në fushën e të drejtave të grave, kanë marrë asistencë për të ndërtuar kapacitet e tyre. Gjatë viteve të fundit, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim është bërë qendra më e mirë për të ofruar trajnimet gender në Shqipëri. I njëjti konkluzion është i vlefshëm për mbledhjen dhe shpërndarjen e botimeve në lidhje me Barazinë Gjinore, gratë dhe problemet sociale në Shqipëri, gjithashtu për realizimin e publikimeve dhe manualeve që i janë shpërndarë publikut të gjerë.

 

Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim është ndër të paktat organizata në Shqipëri që punojnë në fushën e gender mainstreaming, draftimin e manualeve, strategjitë, dhe programe se si barazia gjinore mund të integrohet/përfshihet në fusha të ndryshme. E fundit, por jo më pak e rëndësishme, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim në 30.06.2005, u liçensua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale si Qendër Burimore në Çështjet Gjinore. Ky fakt thekson edhe njëherë kredibilitetin, efiçensën dhe efektivitetin e punës të stafit të Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim. Plotësimi dhe perfeksionimi i standarteve bashkëkohore dhe respektimi i legjislacionit vendas është një tjetër faktor që ka ndikuar dhe ndikon në forcimin e marrëdhënieve me autoritetet shtetërore, donatorët, bashkëpunëtorët dhe përfituesit e shërbimeve që ne ofrojmë.

WEB: https://www.gadc.org.al/ 

 

 

Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza ekziston që prej vitit 1996 me qëllim promovimin e barazisë gjinore, mbrojtjen e të drejtave të grave si të drejta themelore, mbështetje ndaj viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, edukim dhe fuqizim ekonomik të grave dhe vajzave në shoqërinë shqiptare.

Misioni: LKGV kontribuon në emancipimin e shoqërisë shqiptare për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të grave dhe vajzave nëpërmjet shërbimeve për viktimat e dhunës në familje, programeve parandaluese dhe ndërgjegjësuese, avokimit dhe punës kërkimore.

Vizioni: Vizioni i LKGV është krijimi i një kulture ku dhuna në familje është e patolerueshme, ku shoqëria kontribuon për fuqizimin e viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore dhe ku drejtësia vepron efektivisht ndaj abuzuesve.

Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza mbështetet në parimin se një jetë e sigurtë dhe pa dhunë është një e drejtë themelore dhe në mbështetje të këtij parimi, LKGV ofron mbështetje të specializuar për gratë dhe vajzat, inkurajon çdo veprim individual apo institucional kundër dhunës së burrave ndaj grave dhe kontribuon në fuqizimin e rrjeteve të grave dhe aktivizmin e shoqërisë civile.

Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza ofron mbështetje ndaj viktimave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore në të gjithë territorin si dhe një numër të madh aktivitetesh informuese dhe ndërgjegjësuese për publikun, konsultime me ato gra që jetojnë me traumën e dhunës në familje nëpërmjet shërbimit të Qendrës kombëtare telefonike, dhe shërbimeve psikosociale. LKGV zbaton programe edukimi për profesionistë të shërbimeve të ndryshme shtetërore, ndërmerr monitorimin e zbatueshmërisë së politikave publike dhe vlerëson ndërhyrjet konkrete në përmirësimin e shërbimeve publike si pjesë e avokimit për ndryshime/përmirësime afatgjata.

Gjatë viteve të fundit, Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza ka arritur në përfundimin se angazhimi i djemve dhe burrave si partnerë me vajzat dhe gratë është domosdoshmëri për krijimin e barazisë gjinore dhe zhdukjen e dhunës me bazë gjinore. Si rezultat LKGV krijoi Linja e Këshillimit për Burra dhe Djem që ofron shërbime këshillimore për burrat si kryes të dhunës në familje. Linja e Këshillimit për Burra dhe Djem ka përfshirë, vazhdimisht, në veprimtarinë e punës së saj edhe ndërgjegjësimin për edukimin e të rinjve.

Linja e Këshillimit për Gra dhe Vajza ka zhvilluar statusin e saj mbi një sërë shërbimesh dhe profesionalizmi si më poshtë:

Shërbime të drejtpërdrejta

Punë kërkimore dhe studime kushtuar çështjeve që lidhen me dhunën në familje; dhe dokumentimin e dëshmive dhe analizën e rasteve të mbledhura.

Ndërgjegjësim dhe ndërmarrje të fushatave sensibilizuese nëpërmjet anganzhimit të medias, dhe përgatitjes së strategjive të komunikimit; organizimit të veprimtarive publike për grupe profesionale dhe publikun e gjerë.

Ngritje kapacitetesh dhe trajnim për grupe të caktuara profesionistësh si punonjës të policisë, gjyqtarë, edukatorë, mjekë dhe punonjës socialë dhe drejtues dhe përfaqësues të komuniteteve; orientim profesional dhe trajnime për të gjitha qendrat që mbështesin viktimat e dhunës në familje.

Advokim: LKGV ka ofruar ekspertizë dhe rekomandime në përgatitjen dhe përmirësimin e Kodit të Familjes, ligjit për barazinë gjinore, ligjit për ndihmën dhe shërbimet sociale si dhe ligjin për masat kundër dhunës në familje.

 

Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNLQ) është krijuar në nëntor të vitit 1997, si projekt i Shoqatës së Grave Juriste. Në vitin 2001, regjistrohet në gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë, si organizatë jofitimprurëse me statusin Qendër, e emërtuar “Qendra Avokatore për Gratë”. Në vitin 2004, me vendim të Bordit Drejtues, vendoset zgjerimi i qëllimit dhe veprimtarisë së Qendrës, e cila mori emrin Qendra për Nisma Ligjore Qytetare.

Misioni i QNLQ është: Ndërmarrja e nismave ligjore qytetare për mbështetjen, ndihmën dhe edukimin ligjor të shtetasve, me përparësi të grave dhe vajzave, me qëllim që të gëzojnë e të ushtrojnë të drejtat e njohura me ligj, duke u rritur aksesi i tyre në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet e tjera të vendit.

Objektivat e QNLQ janë:

• Ndihma ligjore falas për shtresat në nevojë, për viktimat e dhunës në familje dhe të veprave të tjera të dhunshme.

• Edukimi ligjor i shtetasve, me qëllim njohjen dhe ushtrimin e të drejtave të tyre të parashikuara nga Kushtetuta, aktet ndërkombëtare dhe ligjet.

• Advokatësia dhe lobimi për rritjen e efektivitetit të sistemit të drejtësisë, duke studiuar, monitoruar dhe përgjithësuar përvojat e praktikat më të mira në drejtësi.

• Ndërmarrja dhe mbështetja e nismave për përmirësimin e legjislacionit, në fushën e mbrojtjes së të drejtave të Njeriut, me vështrim të veçantë barazinë gjinore, luftën kundër diskriminimit, dhunës në familje dhe trafikimit të qenieve njerëzore, duke synuar përqasjen e tyre të plotë me standardet më të përparuara ndërkombëtare dhe të drejtën e Bashkimit Evropian.

Për më shumë shih www.qag-al.org 

 

 

“Gruaja tek Gruaja” kontribuon në reduktimin e dhunës në familje dhe rritjen e mirëqënies së grave dhe vajzave nëpërmjet mbështetjes së viktimave të dhunës në familje përmes ofrimit të shërbimeve psiko-sociale për familjen:

Asistencë psikologjike për gra dhe vajza viktima të dhunës në familje

Konsulencë juridike dhe përfaqësim ligjor

Strehim emergjent 48 orësh për viktimat e dhunës në familje

Këshillim psikologjik për djem dhe burra të dhunshëm (Zyra për Djem dhe Burra/ ZDB)

Organizata “Gruaja tek Gruaja” u themelua nga një grup grash aktiviste, anëtare të “Linjës së Këshillimit për Gra dhe Vajza” të cilat nisën të merren me cështjet e grave që në fillim të viteve 90’ duke bashkëpunuar me gra dhe vajza nga Shkodra në Veri të Shqipërisë.

Pas ndërrimit të sistemit në Shqipëri kishte një realitet krejt të ndryshëm nga ai i sotmi sidomos në zonat e thella malore vecanërisht në Veri të Shqipërisë si pasojë e regjimit komunist 50 vjecar. Në fshatrat përreth Shkodrës mbizotëronte varfëria ekstreme jo vetëm për shkak të papunësisë dhe mungesës së të ardhurave por gjithashtu si pasojë e izolimit, përjashtimit social, traditës, dominimit të rolit të mashkullit në jetën social kulturore, ligjet e pashkruara të kanunit, fenomenit të gjakmarrjes dhe mungesës së informacionit.Në bazë të vlerësimit social të bërë vërehej se gratë dhe vajzat e zonave rurale ishin të detyruara të pranonin situatën e vështirë në të cilën jetonin kryesisht për shkak të mungesës së informacionit. Duke njohur dhe parë realitetin nga afër dhe duke qënë më afër problematikave, nevojave dhe shqetësimeve të komunitetit lindi si domosdoshmëri një qasje e re me ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet.Nisur nga kjo fokusi i aktiviteteve dhe përqendrimi i punës në këto zona do të kontribuonte në përmirësimin e perceptimeve lidhur me cështje të konsideruara tabu. Kështu nga kontaktet e para nisën takimet e para në komunitet duke u munduar të perfshiheshin gra dhe vajza, të rinj të shkollave të mesme, stafe të qendrave shëndetësore, mësues, bashkëpunëtorë.Nga këto takime erdhën denoncimet e para lidhur me raste konkrete ku objekt ishte dhuna në familje. Fillimisht “Gruaja tek Gruaja” u fokusua në ofrimin e shërbimeve për viktimat e dhunës në familje, dhe paralelisht me këtë kërkohej mbështetja institucionale për t’i dhënë viktimave mbështetjen bazuar në ligj. Viti 2007 do të shënonte implementimin e ligjit Nr.9669, DATË 18.12.2006 PËR MASA NDAJ DHUNËS NË MARRËDHËNIET FAMILJARE. Kështu do t’u jepej mundësia të gjithë organeve kompetente që ofrojnë shërbime për viktimat e dhunës në familje të gjenin mbështetje në kornizën ligjore njëkohësisht duke përfshirë dhe asistencën e nevojshme dhënë nga shoqëria civile. Fenomeni i dhunës në familje duke qënë tejet kompleks dhe i vështirë për t’u ç’rrenjosur nuk i përkiste vetëm sistemit të drejtësisë për t’a luftuar. Fushatat sensibilizuese në komunitet ishin nisma të përvitshme që për kohën konsideroheshin inisiativa të guximshme por që erdhën si nevojë e komunitetit për të patur informacionin ndonëse fushatat e para përfshinin vetëm shpërndarjen e produkteve ndërgjegjësuese informuese.Të shtyrë nga rastet e shumta të denoncimeve nevojitej ndërmarrja e nismave që kërkonin një angazhim gjithpërfshirës komunitar.Kjo solli nevojën për të ndërhyrë në komunitet dhe kështu hap pas hapi lindi si domosdoshmëri hartimi i programeve të ndërhyrjes të tilla si programi I parandalimit për të rinj të shkollave 9 vjecare, programe trajnimi per zgjidhjen dhe menaxhimin e konflikteve me shkollat e mesme, shërbimet e ofruara për dhunuesit si dhe vijoj puna me vënien në praktikë të sistemit të mekanizmit të referimit për viktimat e dhunës në familje. Gjatë punës lindi nevoja e ngritjes së kapaciteteve të përfaqësuesve të stafeve lokale organizimi i takimeve, tryezave të rrumbullakëta si dhe ëorkshopeve si në zonat rurale ashtu edhe në ato urbane.

Vizioni
“Gruaja tek Gruaja”, një organizatë që siguron shërbimet më cilësore për mbështetjen, fuqizimin dhe promovimin e gruas dhe pikë referimi për politikat sociale lidhur me këto shërbime.


Misioni
Shoqata “Gruaja tek Gruaja” synon fuqizimin e gruas dhe familjes në qarkun Shkodër dhe më gjërë, nëpërmjet ofrimit të shërbimeve psiko-ligjore dhe strehimit për viktimat e dhunës, këshillimit për djemtë dhe burrat e dhunshëm, fuqizimit ekonomik të grupeve vulnerabël të grave dhe vajzave, rritjes së kapaciteteve të aktorëve të ndryshëm, informimit dhe edukimit publik dhe avokatësisë duke u udhëhequr nga parimi i mosdiskriminimit.

Web: https://www.gruajatekgruaja.org/ 

 

 

Shoqata “Forumi Gruas Elbasan” është krijuar në Gusht te vitit 1991 si degë e Forumit te Pavaruar të Gruas Shqiptare, riregjistruar në vitin 1995 po si degë e Forumit të Pavaruar të Gruas Shqipëtare, dega Elbasan. Është regjistruar si shoqatë më vete më 07.01.2000 me vendim 4030 të Gjykatës Rrethit Elbasan dhe riregjistruar me datë 10.07.2003 me vendim nr 4030/1 të Gjykatës së Rrethit Tiranë, konform ligjit të Organizatave jo Fitimprurëse në Shqiperi. Më pas Forumi i Gruas Elbasan është riregjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë me Nr Vendimi 4030/2 datë 16.07.2015, dhe 4030/3 datë 21.07.2021. Në bazë të statutit, organizata quhet “Forumi Gruas Elbasan” (FGE). Organizata është formuar si shoqatë me anetarësi. Veprimtarinë e saj organizata e shtrin ne Qarkun e Elbasanit në të shtatë Baashkitë e Qarkut Elbasan si dhe në Bashkinë Rrogozhinë dhe Kavajë të Qarkut Tiranë, me të drejtë për tu shtrirë në të gjithë Shqiperinë. Profili specifik i organizatës është se bazohet në çështjet dhe në problemet e grave veçanërisht ato me probleme dhune, të grupmoshave, niveleve e besimeve të ndryshme nga zonat urbane e ato rurale si dhe në rritjen e pjesmarrjes së gruas në jetën publike kryesisht në politikë dhe në vendimmarrje. Por pjesë e target grupit të organizatës janë dhe meshkujt pasi prania e tyre në problemet e grave e vajzave ndikon në trajtimin, zbutjen e zgjidhjen e problemeve sipas përkatësisë gjinore.

Organizata ka një experiencë të mirë pune për të drejtat e grave, ka kapacitete trajnuese, menaxhuese dhe ofruese konkrete shërbimesh. Këto kapacitete janë krijuar hap pas hapi, vit pas viti duke marrë në konsideratë faktin se organizata i ka dhënë shumë rëndësi trajnimit dhe kualifikimit  të stafit.   Në zgjidhjen e problemeve të ndryshme organizata bashkëpunon dhe kooperon me shumë organizata të tjera dhe me qeverinë lokale. Organizata është pjesë e rrjetit kombëtar AWEN Rrjeti i Fuqizimit të Gruas si dhe i Rrjetit European WAVE-Women Against Violence Europe.

Forumi Gruas Elbasan: Jep shërbime konkrete në favor të grave dhe vajzave; Ngre fushata sensibilizuese; Organizon trajnime dhe ngritje kapacitetesh; Organizon aktivitete dhe projekte në ndihmë të mbrojtjes së grave; Rrit e vetëdijësimin e tyre për rolin dhe të drejtat që kanë në shoqëri dhe familje.

Web: https://forumigruaselbasan.org/ 

 

Qendra Psiko-Sociale "Vatra" është një organizatë shqiptare jofitimprurëse, e cila ofron shërbime dhe ekspertizë për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit njerëzor, viktimave të dhunës në familje e të gjitha formave të dhunës me bazë gjinore si dhe fëmijët e tyre. Qendra Psiko-Sociale "Vatra" është e dedikuar në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe të gjitha formave të dhunës, si dhe punon për mbrojtjen dhe përfshirjen sociale të viktimave të këtyre fenomeneve nëpërmjet programeve të informimit, edukimit, advokimit dhe shërbimeve sociale rezidenciale dhe komunitare. Grupet e synuara të mbështetura nga Qendra Psiko-Sociale "Vatra" përfshijnë shtresat në nevojë, veçanërisht gratë, vajzat, të rinjtë dhe fëmijët.

Për planifikimin dhe zbatimin e aktiviteteve të saj Qendra Psiko - Sociale "Vatra" udhëhiqet dhe bën përpjekje për: Përmbushjen e linjave të strategjive dhe planeve kombëtare të veprimit për luftën kundër trafikimit të qënieve njerëzore, strategjive kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore; Zbatimin e detyrimeve si anëtare e Autoritetit Kombëtar Përgjegjës Antitrafikim (me rotacion), anëtare nënshkruese e Mekanizmit Kombëtar Referimit të viktimave/ viktimave të mundshme të Trafikimit anëtare e Mekanizmit Lokal Kundër Dhunës në disa qarqe, kryesisht të Shqipërisë së Jugut; Në mbështetje të veprimtarisë së saj Vatra bashkëpunon ngushtësisht me institucionet përgjegjëse dhe organizata aktive në fushën e mbrojtjes së viktimave të trafikimit, viktimave të dhunës dhe abuzimit.

Web: http://www.qendravatra.org.al/ 

 

Shoqata “Jona” është një shoqatë jo-fitimprurese, e cila operon në Sarandë që nga viti 2001 dhe është e regjistruar në Gjykatën e rrethit Sarandë me vendim nr.5, datë 05.04.2001. Shtrirja e veprimtarisë së shoqatës përfshin territorin e Bashkisë Sarandë, Bashkisë Delvinë, Finiq dhe Konispol.

Shoqata “Jona” ka kontribuar në mbrojtjen e të drejtave të grave si pjesë e të drejtave të njeriut, në rritjen e imazhit publik të gruas përmes prezencës së saj në jetën politike e publike dhe në zhvillimin e alternativave dhe mundësive, për të forcuar pozicionin e grave në komunitet. Programet kryesore të Shoqatës të realizuara vitet e fundit kanë përfshirë informimin, ndërgjegjësimin dhe sensibilizimin e grave për të drejtat e tyre, si pjesë e të drejtave të njeriut të garantuara me ligj. Këto programe janë realizuar nëpërmjet zbatimit të projekteve të mbështetura nga donatorë të ndryshëm.

Vizioni

Shoqata “Jona” një aktor i rëndësishëm në rajon për mbrojtjen e të drejtave të grave.

Misioni

Fuqizimi i statusit ekonomiko-social të gruas, në Sarandë dhe Delvinë, nëpërmjet programeve të ndërgjegjësim-edukimit, formimit profesional dhe përfshirjes së gruas në vendimmarrje, mbështetjes psiko-sociale dhe ligjore, kryesisht për viktimat e dhunës në familje.

Vlerat

Trajtimi me respekt i njerëzve
Përkushtimi në realizimin e misionit dhe vizionit të organizatës
Vullnetarizmi
Kooperimi me aktorët kryesorë është çelësi i suksesit
Integriteti dhe transparenca
Besimi në përpjekjet e përbashkëta
Shoqata “Jona” është pjesë e rrjetit AWEN dhe ka si mision fuqizimin e gruas në shoqëri.

 

Mbrojtja e viktimave penale

AWEN gjatë 6 muajve të fundit është duke realizuar mbrojtjen e 19 viktimave të veprave penale në Gjykatat e rretheve gjyqësore. Të gjitha rastet kanë përjetuar krime të dhunës me bazë gjinore kundër tyre dhe familjareve/ëve të tyre.