"Flutura" fillon një jetë të re

Znj. “Flutura” është një grua 39-vjeçare, nënë e dy vajzave të mitura, e cila ka jetuar për rreth 15 vite nën dhunën sistematike të bashkëshortit të saj. Martesa e saj nisi në vitin 2009 dhe për një kohë të shkurtër marrëdhëniet dukeshin të qeta, por shumë shpejt ajo u përball me dhunë psikologjike, fyerje të rënda, frikësim dhe izolim emocional. Me kalimin e kohës, dhuna u shndërrua në fizike dhe ndodhte shpeshherë në prani të fëmijëve të mitur. Bashkëshorti ishte përdorues i alkoolit dhe frekuentues i lojërave të fatit, çka e përkeqësonte më tej sjelljen e tij të dhunshme.

Në vitin 2017, gjatë qëndrimit të përkohshëm si azilantë në Gjermani, ajo e denoncoi për herë të parë dhunën tek autoritetet gjermane. Pas kthimit në Shqipëri, situata u rikthye me të njëjtin intensitet. Pavarësisht përpjekjeve për të ruajtur martesën, dhuna vazhdoi për vite me radhë, duke rrezikuar sigurinë dhe mirëqenien e saj dhe të fëmijëve.

Në shkurt të vitit 2025, pas një episodi të rëndë dhune në banesë ku ai goditi znj. “Flutura” përpara fëmijëve, ajo mori guximin të kërkonte ndihmë dhe u referua pranë Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri nga një aktiviste e të drejtave të njeriut. Pas denoncimit të ngjarjes në polici, bashkëshorti u arrestua dhe më pas u dënua nga Gjykata me 1 vit e 6 muaj burgim për veprën penale të dhunës në familje në prani të fëmijëve, sipas nenit 130/a/4 të Kodit Penal.

Brenda një periudhe vetëm katër mujore, znj. “Flutura” përfitoi:

Ndihmë juridike falas (parësore dhe dytësore)
Këshillim ligjor në zyrë dhe përfaqësim në gjykatë
Përjashtim nga të gjitha shpenzimet gjyqësore, përfshirë ekspertizën psikologjike
Hartimin dhe ndjekjen e kërkesë-padisë për zgjidhjen e martesës
Mbështetje për përkujdesjen prindërore dhe vendosjen e detyrimit ushqimor për fëmijët
Kufizimin e të drejtës së takimit të babait me fëmijët vetëm një herë në muaj, për shkak të dhunës së ushtruar

Sot, znj. “Flutura” ka rifituar kontrollin mbi jetën e saj. Ajo është e punësuar, fëmijët janë të sigurt, dhe procesi i zgjidhjes së martesës është drejt përfundimit. Ky rast tregon fuqinë e mbështetjes së shpejtë, të koordinuar dhe të përkushtuar ndaj grave që kanë duruar dhunë për vite me radhë.

“Sot ndjej se jam e lirë dhe e pavarur. Rris fëmijët e mi me dashuri dhe përkushtim, punoj dhe siguroj vetë të ardhurat e mia. Ndihem sikur, hap pas hapi, po e rifitoj kontrollin mbi jetën time.”

Mbrojtja e viktimave penale

AWEN gjatë 6 muajve të fundit është duke realizuar mbrojtjen e 19 viktimave të veprave penale në Gjykatat e rretheve gjyqësore. Të gjitha rastet kanë përjetuar krime të dhunës me bazë gjinore kundër tyre dhe familjareve/ëve të tyre.