HULUMTIMI I AWEN: SFIDA MË E MADHE E GRAVE NË POLITIKË ËSHTË VETË QENIA GRUA

“Sfida më e madhe e grave në politikë është vetë qenia grua.” Ky nuk është një perceptim, por një e dhënë e matur gjatë hulumtimit të kryer nga AWEN- Rrjeti i Fuqizimit të Gruas së Shqipëri me mbështetjen e National Democratic Institute, që kishte në fokus “Përfaqësimin politik dhe pjesëmarrjen të grupeve të nënpërfaqësuara në procesin zgjedhor.”

Gjetjet dhe rekomandimet e këtij raporti analitik u prezantuan në gjysmën e dytë të shtatorit, 2023, në prani të përfaqësuesve politikë, organizatave partnere të shoqërisë civile si dhe gazetarëve. Gjatë prezantimit u diskutua mbi nevojën që institucionet publike të sigurojnë zbatimin e legjislacionit zgjedhor në mënyrë që të mos cenohen, qoftë dhe në mënyrë indirekte individët pjesë e grupeve të nënpërfaqësuara sikurse gratë në zonat rurale, të rinjtë, komuniteti Rom dhe Egjiptian, personat me aftësi të kufizuara dhe LGBTIQ+.

Mbrojtja e viktimave penale

AWEN gjatë 6 muajve të fundit është duke realizuar mbrojtjen e 19 viktimave të veprave penale në Gjykatat e rretheve gjyqësore. Të gjitha rastet kanë përjetuar krime të dhunës me bazë gjinore kundër tyre dhe familjareve/ëve të tyre.