PREZANTIM I RAPORTIT “PËRFAQËSIMI POLITIK NË KËSHILLAT BASHKIAKE PAS ZBATIMIT TË KUOTËS GJINORE 50/50: ÇFARË PO NDODH ME HENDEKUN GJINOR?”

Në 30 maj 2024, AWEN zhvilloi një tryezë të rrumbullakët për të prezantuar gjetjet e raportit kërkimor “Përfaqësimi politik në këshillat bashkiakë pas zbatimit të kuotës gjinore 50/50: Çfarë po ndodh me hendekun gjinor?”.

Studimi u realizua në 11 këshilla bashkiakë dhe u mbështetet në ndjekjen, transkriptimin dhe analizimin e mbledhjeve të këshillave bashkiakë, si dhe intervista të realizuara me këshilltarët. Ai u fokusua në përfaqësimin politik në këshillat bashkiakë në vitin 2023, por duke bërë krahasime me vitin 2018 dhe vitin 2016.

Nga ky studim u nxor në pah që përtej arritjeve numerike, në këshillat bashkiakë ka një hendek të barazisë gjinore. Ndër gjetjet kryesore që u prezantuan lidhen me marrjen dhe ndërprerjen e fjalës të grave këshilltare, fushat në të cilat ato përfshihen në diskutim, presioni politik që u bëhet etj.

Prezantimi i gjetjeve të këtij raporti, u ndoq me mjaft interes nga të pranishmit dhe u pasua nga një diskutim mbi mënyrën se si mund të përdoren këto gjetje në funksion të përmirësimit të situatës.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të projektit “Shoqëria civile për qeverisjen e mirë: Një ndërhyrje kombëtare që synon forcimin e kapaciteteve, fuqizimin e partneriteteve, dhe ndërgjegjësimin e publikut” i cili zbatohet me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me IDM Albania (Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim), dhe Center for Research and Policy Making (Qendrën për Kërkim dhe Politikëbërje), dhe është mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).

 

Mbrojtja e viktimave penale

AWEN gjatë 6 muajve të fundit është duke realizuar mbrojtjen e 19 viktimave të veprave penale në Gjykatat e rretheve gjyqësore. Të gjitha rastet kanë përjetuar krime të dhunës me bazë gjinore kundër tyre dhe familjareve/ëve të tyre.