Protesta për Joy Ayoko

U mbajt më 20 shkurt protesta për Joy Ayoko. 

Deklarata e plotë:

Pas gjashtë muajsh në gjendje kome dhe në luftë për jetën, Joy Ayoko u nda nga jeta më 13 shkurt.
Joy, një grua e re 22 vjeçare, u largua nga Kenia për një realitet tjetër, për një pagë më dinjitoze dhe një perspektivë të re. Për fat të keq, në Shqipëri e priti i një fund tragjik. Më datë 13 gusht të 2022 Joy është dhunuar dhe hedhur nga kati i dytë i banesës ky jetonte më qira në rrugën “Pandeli Evangjeli” në kryeqytet. Njoftimi i parë nga policia e Tiranës u bë vetëm pas 3 muajsh, më datë 9 nëntor.

Kanë kaluar disa muaj nga kjo ngjarje e rëndë, por prokuroria ende nuk ka marrë asnjë veprim dhe nuk ka asnjë pistë hetimi apo emra konkret të dyshuarish.

Ruth Abongo, nëna e Joyt, ka deklaruar se do të kërkojë drejtësi deri në momentin e fundit për vajzën e saj. Ne jemi sot këtu për t’ju bashkuar thirrjes së saj për drejtësi, për të kërkuar hetim të drejtë dhe transparent dhe dërgimin përpara drejtësisë të fajtorëve të kësaj vrasjeje të shumëfishtë. E vrarë nga policia që nuk e raportoi në kohë krimin, e vrarë nga indiferenca mediatike, e vrarë nga mungesa e solidaritetit për të mbledhur në kohë më shumë para në gofund pasi shteti nuk u shqetësua për ta dërguar për kurim jashtë vendit, e vrarë nga indiferenca e organeve të hetimit.

Gratë imigrante me ngjyrë nuk mund të trajtohen si numra që sbëjnë asnjë diferencë në agjendën e politikës dhe drejtësisë shqiptare. Kërkojmë menjëherë reagim dhe transparencë nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ne jemi këtu për të deklaruar se nuk harrojmë dhe as nuk falim asnjë jetë tjetër gruaje, qoftë me ngjyrë, e huaj apo shqiptare, e siguruar apo e pasiguruar, e re apo në moshë. Nëse ky rast nuk trajtohet me rëndësinë dhe peshën që i takon, asnjë grua, asnjë punëtore, asnje imigrante nuk do të ndjehet e sigurt në këtë vend që aspiron të jetë pjesë e Bashkimit Europian!

Nuk mund të bëjmë kompromis për të fituar të drejtën e jetës në vitin 2023!

Patriarkati i vret gratë dhe shteti është bërë palë. Sot protestojmë për Xhoin dhe të gjitha jetët e humbura të grave prej femicidit. Ne nuk duam të jetojmë në një shoqëri që normalizon vrasjen e grave, ne duam drejtësi, mbrojtje dhe jetë të dinjitetshme për të gjitha gratë!

KOLEKTIVI FEMINIST
20 shkurt 2023

Mbrojtja e viktimave penale

AWEN gjatë 6 muajve të fundit është duke realizuar mbrojtjen e 19 viktimave të veprave penale në Gjykatat e rretheve gjyqësore. Të gjitha rastet kanë përjetuar krime të dhunës me bazë gjinore kundër tyre dhe familjareve/ëve të tyre.