PROTESTË PËR PËRDHUNIMIN E 26-VJEÇARES NË VLORË

Aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, protestuan më 2 dhjetor 2023 duke kërkuar drejtësi dhe dënim maksimal për autorët e përdhunimit në grup të një 26 vjeçareje në Vlorë. Marshimi, të cilit ju bashkangjit edhe AWEN, nisi nga prokuroria e Rrethit Vlorë dhe vijoi përgjatë shëtitores në Skelë, me thirrjet: “JO është JO”, “Drejtësia duhet të triumfojë”, “Stop dhunës me bazë gjinore”.

Ngjarja e tmerrshme, përveç përdhunuesve dhe abuzuesve seksualë, kishte përgjegjës edhe një person të katërt të pranishëm në ngjarje i cili ka qenë dëshmitar dhe nuk ka reaguar apo ndaluar këtë abuzim.  Kjo ngjarje, rithekson nevojën dhe detyrën që ka shoqëria shqiptare për t’u ndërgjegjësuar, denoncuar dhe kërkuar llogari strukturave përkatëse shtetërore.

Angazhimi kolektiv dhe individual i të gjithëve dhe reagimi institucional është thelbësor në përpjekjet që asnjë grua apo vajzë tjetër të mos përjetojë këtë lloj dhune.

Mbrojtja e viktimave penale

AWEN gjatë 6 muajve të fundit është duke realizuar mbrojtjen e 19 viktimave të veprave penale në Gjykatat e rretheve gjyqësore. Të gjitha rastet kanë përjetuar krime të dhunës me bazë gjinore kundër tyre dhe familjareve/ëve të tyre.