Letër e hapur drejtuar partive dhe forumeve politike

Tiranë, 31/05/2024

 

Partitë dhe forumet politike duhet t’i japin fund, jo vetëm numerikisht, hendekut gjinor në këshillat bashkiake

 

Partitë politike—në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe angazhimet në nivel ndërkombëtar—kanë ndërmarrë masa për nxitjen e barazisë gjinore në të gjitha nivelet e qeverisjes. Si rezultat i masave, përfaqësimi numerik i grave në këshillat bashkiake është rritur ndjeshëm. Në zgjedhjet vendore të vitit 2023, gratë përbënin 49.8% të kandidatëve. Në rajon—dhe më tej—Shqipëria dallon për përfaqësimin e lartë të grave në këshillat bashkiake. Por—nëse shohim përtej numrave—situata në këshillat bashkiake nuk është dhe aq premtuese. Në fakt, bazuar në studimin më të fundit të Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN*), hendeku gjinor në këshillat bashkiake është thelluar. Përmes kësaj letre, AWEN kërkon të informojë partitë politike në vend—dhe forumet brenda partive politike—në lidhje me rezultatet e studimit si dhe të bëjë thirrje që partitë politikë të ndërmarrin hapa për t’i thënë fund—realisht—hendekut gjinor në politikë. Studimi, i mbështetur në analizimin e mbledhjeve të këshillave bashkiake dhe intervistave me këshilltarë, tregon se:

1.      Përpjekjet e përfaqësuesve politikë në këshillat bashkiakë përsa i përket përmirësimit të cilësisë së qeverisjes—zbatimit të ligjit, transparencës, dhe paanësisë—janë dobësuar. Në vitin 2023—krahasuar me vitin 2018—këshilltarët kanë diskutuar rreth zbatimit të ligjit dhe transparencës rreth 2 herë më pak. Po ashtu, këshilltarët kanë qenë më pak të shqetësuar për pabarazitë apo padrejtësitë.

2.      Burrat dominojnë diskutimet gjatë mbledhjeve të këshillave bashkiake, dhe dominanca e tyre ka ardhur duke u rritur. Frekuenca me të cilën burrat e morën fjalën në vitin 2023 (74.33%) ishte më e lartë se në vitin 2018 (65.66%) dhe vetëm pak më e ulët se në vitin 2016 (76.09%).  Në disa prej këshillave të studiuar, burrat e morën fjalën në më shumë se 80% të rasteve.

3.      Dominanca e burrave ndihet edhe në diskutimin e shërbimeve. Pasi e marrin fjalën, burrat angazhohen në mënyrë më intensive se gratë në diskutimin e shërbimeve publike, mirëqenies sociale, infrastrukturës rrugore dhe transportit, ujësjellësit, emergjencave/fatkeqësive. E vetmja fushë, nga 6 fushat e analizuara, ku gratë dhe burrat diskutojnë me të njëjtin intensitet është ajo e arsimit.  

4.      Ndërkohë që ndërprerja e fjalës ndodh vazhdimisht gjatë mbledhjeve të këshillave bashkiake, janë gratë ato që ndërpriten më shpesh. Grave u ndërpritet fjala rreth 2.5 herë më shpesh se burrave.

5.      Arritjet numerike fshehin një numër praktikash që përdoren brenda partive politike si dhe gjatë mbledhjeve të këshillave, dhe që synojnë të kundërtën e reformave të barazisë gjinore.

a.      Demokracia e dobët brenda partive politike penalizon gratë, për shembull duke dekurajuar rikandidimin apo konkurrimin në bazë idesh dhe platformash.

b.      Propozimet e këshilltareve gjatë mbledhjeve nuk merren në konsideratë, dhe ato mënjanohen apo shihen si të përkohshme në politikë.

c.       Drejtuesit e partive u bëjnë presion këshilltareve të tërhiqen në masë nga këshilli, duke ja lënë vendin burrave.

d.      Presioni ekonomik—apo kërcënimi për largim nga puna—përdoret për t’u siguruar se këshilltaret do të ecin në “linjën” e drejtuesve.

e.      Dhuna psikologjike, si ofendimet ndaj këshilltareve, mbartin paragjykime të brendësuara, të cilat mbështeten në idenë e gabuar se mendimet e grave janë më pak të rëndësishme se ato të burrave.

f.        Barazia numerike po përdoret nga këshilltarët (burra) për të penguar avancimin e mëtejshëm të grave në politikë. Këshilltarët po përdorin numrat për të justifikuar kundërshtimin e iniciativave që synojnë barazi reale në politikë.

AWEN propozon që partitë politike dhe forumet brenda tyre të nisin një diskutim rreth gjetjeve dhe praktikave të identifikuara përmes studimit. Ky diskutim duhet të shoqërohet me masa konkrete që duhet të ndërmerren në mënyrë që barazia gjinore në politikë të mos kufizohet vetëm tek numrat.

Përpjekjet e partive politike nuk duhet të përfundojnë në momentin që dorëzojnë listat e kandidatëve tek Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Përndryshe, hendeku gjinor në këshillat bashkiake do të vazhdojë të thellohet.

 

Ju ftojmë të lexoni raportin e plotë të studimit këtu: https://awenetwork.org/media/665858df0c2bc.pdf 

 

* AWEN është një rrjet organizatash, të cilat punojnë për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave dhe vajzave. Rrjeti ynë përbëhet nga 10 organizata që punojnë së bashku për të fuqizuar vajzat dhe gratë në aspektin social, ekonomik, dhe politik. Rrjeti ynë synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet organizatave për të rritur ndikimin e aktiviteteve të përbashkëta në nivel kombëtar dhe për të fuqizuar lëvizjen feministe në Shqipëri.

 

Mbrojtja e viktimave penale

AWEN gjatë 6 muajve të fundit është duke realizuar mbrojtjen e 19 viktimave të veprave penale në Gjykatat e rretheve gjyqësore. Të gjitha rastet kanë përjetuar krime të dhunës me bazë gjinore kundër tyre dhe familjareve/ëve të tyre.