Reduktimi i Dhunës me Bazë Gjinore duke përfshirë trafikimin e qënieve njerëzore

 

"Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të grave dhe vajzave në Shqipëri"

Periudha e implementimit: janar 2019 - dhjetor 2022

Mbështetur nga: Sida

Ky program ka patur tre komponentë kryesorë: (a) advokim dhe lobim në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave; (b) zhvillim institucional/forcim organizativ i AWEN-it dhe anëtarëve të tij; (c) ofrimi i mbështetjes anëtarëve të AWEN-it me qëllim ofrimin e shërbimeve të specializuara, organizimin e iniciativave sensibilizuese dhe advokuese, si dhe ngritjen e kapaciteteve për të mbrojtur dhe përmirësuar të drejtat e grave.

Nëpërmjet kësaj ndërhyrje është arritur:

  • Përmirësimi dhe zbatimi i politikave dhe kuadrit ligjor nga ligjzbatuesit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave.
  • 9 organizata anëtare të AWEN-it janë mbështetur me ndërhyrje të përshtatura për ngritjen e kapaciteteve.
  • Ofrimi i shërbimeve të specializuara mbështetëse dhe realizimi i nismave sensibilizuese dhe avokuese.
  • 41 ndërhyrje emergjente advokuese në shkallë të vogël të zbatuara nga organizatat jo-anëtare

 

"Advokimi për barazinë gjinore dhe proceset e integrimit në BE"

Periudha e implementimit: janar 2020-dhjetor 2022

Mbështetur nga: Kvinna till Kvinna

Projekti u fokusua në iniciativat advokuese të BE-së me fokus të drejtat e grave, në përputhje me udhëzimet dhe politikat e BE-së. Projekti synoi të adresonte mungesën e informacionit mbi rolin e BE-së në përparimin e barazisë gjinore në Shqipëri nëpërmjet (a) informacionit publik mbi politikën dhe legjislacionin e miratuar të BE-së për të drejtat e grave; (b) ndërgjegjësimit të publikut mbi rëndësinë kyçe të rolit të BE-së në zhvillimin e vendit dhe avancimin e të drejtave të grave në Shqipëri; (c) dhe advokimin me entitetet e BE-së, si dhe me strukturat qeveritare për avancimin e të drejtave të grave sipas kërkesave të politikave të BE-së. Projekti rriti rolin e AWEN për t'u bërë një nga aktorët kryesorë në nismat avokuese të BE-së për të drejtat e grave në Shqipëri.

Nëpërmjet kësaj ndërhyrje është arritur: 

  • Njohje dhe zbatim i përmirësuar i legjislacionit ekzistues për të drejtat e njeriut të grave dhe avancim i ndërhyrjeve të integrimit gjinor në politikat kombëtare, sipas legjislacionit të BE-së.
  •  Nivele të larta ndërgjegjësimi rreth stereotipeve gjinore dhe seksizmit në media.

 

"Barazia Gjinore është një e drejtë! Forcimi i aktivizmit për të drejtat e grave në zonat e thella të Shqipërisë"

Periudha e implementimit: qershor 2021-maj 2022

Mbështetur nga: Programi i granteve te vogla – Ambasada e SHBA-ve

Projekti realizoi një ndërhyrje gjithëpërfshirëse me qëllim fuqizimin e grave dhe adresimin e dhunës me bazë gjinore. Ndërhyrja u fokusua në dy nivele—nivel vendor (Lushnje, Kavajë, Tropojë) dhe në nivel kombëtar. Përmes punës në terren dhe kontakteve me organizatat lokale, AWEN identifikoi dy probleme: (a) organizatat lokale të shoqërisë civile dhe agjentët e ndryshimit që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e njeriut në përgjithësi dhe të drejtat e grave në veçanti janë të dobëta; dhe (b) përfaqësuesit e pushtetit vendor kanë informacion të kufizuar rreth të drejtave të njeriut në përgjithësi dhe të drejtave të grave në veçanti. Projekti synoi të adresonte këto dy probleme dhe të përmirësonte situatën.

Nëpërmjet kësaj ndërhyrje është arritur: 

  • Kapacitete më të mëdha të organizatave lokale, grupeve të komunitetit, apo aktorëve të tjerë lokalë për të mbrojtur dhe për t’i shërbyer më mirë vajzave/grave në komunitet.
  • Nivele më të larta të informimit dhe ndërgjegjësimit në vajzave dhe grave rreth të drejtave të tyre.
  • Nivele më të larta ndjeshmërie të komuniteteve ndaj të drejtave të vajzave/grave.

 

"Mbështetja e bashkive në analizimin dhe miratimin e modeleve/skemave të reja për integrimin socio-ekonomik të të mbijetuarave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore"

Periudha e implementimit: qershor 2020-dhjetor 2021

Mbështetur nga: UN Women

Nëpërmjet kësaj ndërhyrje është arritur: 

  • Kapacitete më të mëdha të bashkive në trajtimin e të mbijetuarave të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore, të evidentuara përmes hartimit të (4) planeve të integrimit socio-ekonomik dhe trajnimit të (80) aktorëve vendorë rreth zhvillimit dhe zbatimit të planeve të integrimit socio-ekonomik.
  • Përmirësimi i qasjes në shërbimeve për të mbijetuarat e dhunës në bashkitë e Durrësit, Elbasanit, Shkodrës dhe Vlorës, i evidentuar përmes rasteve të trajtuara.

 

"Promovimi i të drejtave të grave dhe barazisë gjinore"

Periudha e implementimit: janar 2020-nëntor 2022

Mbështetur nga: Austrian Development Agency

Nëpërmjet kësaj ndërhyrje është arritur: 

  •  Rrjetëzim i përmirësuar me fokus integrimin e çështjeve gjinore në procesin e anëtarësimit në BE.
  •  Rritje e pjesëmarrjes së grupeve lokale që punojnë në fushën e të drejtave të grave në proceset e anëtarësimit në BE.
  •  Institucionet vendimmarrëse mbajnë më shumë përgjegjësi—politikisht dhe financiarisht—për integrimin e gjinisë në procesin e anëtarësimit në BE.

 

 

Mbrojtja e viktimave penale

AWEN gjatë 6 muajve të fundit është duke realizuar mbrojtjen e 19 viktimave të veprave penale në Gjykatat e rretheve gjyqësore. Të gjitha rastet kanë përjetuar krime të dhunës me bazë gjinore kundër tyre dhe familjareve/ëve të tyre.