DEKLARATË E ORGANIZATAVE TË MBROJTJES SË TË DREJTAVE TË NJERIUT PËR SOLIDARITET

Organizatat e shoqërisë civile, mbrojtëse të të drejtave shprehim mbështetjen tonë për Mirela Arqimandritin, aktiviste dhe drejtore ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, me eksperiencë 30-vjeçare në mbrojtje të të drejtave të grave. 

Ne shprehim solidaritetin tonë të plotë me një nga aktivistet më të hershme dhe më të zëshme për të drejtat e grave.

Ngjarjet e fundit në emisionin “Off Record” në A2 CNN, më 28 tetor, ku Mirela u sulmua verbalisht dhe publikisht flasin qartë për mendësinë patriarkale dhe mizogjininë me të cilën përballet çdo grua apo person që kërkon të mbrojë të drejtat e saj/tij. https://www.youtube.com/watch?v=B3KixujrXto

Komentet fyese dhe sulmet e përdorura nga disa prejt të ftuarve në studio, duke përfshirë gjuhën seksiste dhe diskriminuese nuk përfaqësojnë  opinionin publik apo debatin e shëndetshëm por janë shprehje e qartë e dhunës verbale dhe publike.

Përdorimi i gjuhës së urrejtjes dhe etiketimi fyes i aktivisteve dhe aktivistëve përbën shkelje të qartë të normave ligjore, standardeve të drejtësisë dhe respektit për dinjitet njerëzor.  

Kjo është një ftesë për të reflektuar mbi mënyrën se si shoqëria jonë trajton gratë dhe grupet e margjinalizuara dhe për të kërkuar përgjegjësi nga platformat mediatike që i japin zë urrejtjes.

Ne si organizata mbrojtëse të të drejtave të njeriut/të grave, nuk do të heshtim përballë mizogjinisë dhe dhunës verbale. 

Ky lloj diskursi shkel jo vetëm normat morale dhe etike, por edhe legjislacionin shqiptar dhe instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen nga diskriminimi.

Ne theksojmë se heshtja përballë këtyre sulmeve, i legjitimon ato. 

Ne përkrahim fuqimisht Mirela Arqimandritin dhe çdo grua që guxon të flasë, si dhe përkrahim çdo person që kërkon barazi, drejtësi dhe dinjitet. 

Barazia gjinore dhe respekti për të drejtat e njeriut nuk janë kërcënim, por parakusht për një shoqëri të drejtë, të sigurt dhe demokratike.

Ne bëjmë thirrje për:

1.     Mbajtjen e përgjegjësisë publike ndaj individëve që përdorin gjuhë diskriminuese dhe dhunë verbale në mediat publike.

2.     Zbatimin rigoroz të ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, si dhe rishikimin e politikave editoriale që favorizojnë normalizimin e urrejtjes dhe mizogjinisë.

Ne nuk do të heshtim përballë mizogjinisë dhe çdo forme diskriminimi. 

Solidariteti dhe mbrojtja e të drejtave të grave dhe komuniteteve të margjinalizuara janë detyrë e shoqërisë civile dhe përgjegjësi qytetare për një shoqëri më të drejtë.

Mbrojtja e viktimave penale

AWEN gjatë 6 muajve të fundit është duke realizuar mbrojtjen e 19 viktimave të veprave penale në Gjykatat e rretheve gjyqësore. Të gjitha rastet kanë përjetuar krime të dhunës me bazë gjinore kundër tyre dhe familjareve/ëve të tyre.